UASHINGTON – Kryeministri udhëtoi sot drejt SHBA-ve për t’iu bashkuar Presidentit Trump me rastin e marrëveshjes së Bordit të Paqes. Më parë KM e konsideroi ftesën si një moment historik për diplomacinë shqiptare. Në avion u hartuan pika për stabilitetin e Lindjes së Mesme, balanca strategjike dhe roli i Shqipërisë si faktor paqeje në Gaza. Por sapo mbërriti në Uashington, delegacioni nuk u drejtua për në Shtëpinë e Bardhë, por në një restorant shqiptar në periferinë e qytetit, në hyrje të të cilit lexohej: “Mirë se vini në Bordin e Paçes.
Për turp të Zotit, delegacioni mësoi se ftesa nuk ishte dërguar nga Presidenti Trump, por nga një shef kuzhine shqiptar që punon prej vitesh në SHBA, i cili kishte hapur një iniciativë gastronomike me emrin “Bordi i Paçes”. Sipas burimeve, dikush në protokoll nuk e vuri re germën me bisht dhe e lexoi si “Bordi i Paqes” duke e kaluar menjëherë për trajtim diplomatik.
KM u ul në një tryezë të gjatë ku, në vend të dosjeve me marrëveshje, e priste një tavë balte me lëng kockash, hudhër dhe spec djegës. Pas gostisë, u nënshkrua dhe marrëveshja e Bordit të Paçes, ku ndër të tjera parashikohet standardizimi i recetës tradicionale, subvencionimi i hudhrës vendase, dhe shpallja e gatimit “aset i rëndësishëm strategjik,” me motivimin se pas një paçe koke askush s’ka nerva për konflikt.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.