/ Sociale

Shpopullimi bën kërdinë / 12,800 më pak bullizues në bankat e shkollave këtë vit

|Nga: Redaksia Lemza
Shpopullimi bën kërdinë / 12,800 më pak bullizues në bankat e shkollave këtë vit

TIRANË - Shpopullimi i vendit shënon një tjetër viktimë: bullizuesit e shkollave. Statistikat zyrtare të publikuara nga KOSTAT (Kombinati i Statistikave) tregojnë se janë ulur në banka 12,800 bullizues më pak në krahasim me vitin e kaluar, duke lënë të shtangur mësuesit dhe psikologët e institucioneve arsimore.

“Bullizmi është pjesë e rëndësishme e formimit të karakterit të të rinjve. Kush nuk është bullizuar në shkollë, nuk është i gatshëm për tregun e punës dhe emigracionin,” u shpreh një ekspert, i cili u fsheh pas anonimatit nga frika se mos e dhunonin kolegët. “E vërteta e hidhur është që largimi nga vendi po na merr talentet më të mira në kopaçitje. Imagjino pak një adoleshent gjerman që trajtohet me dhunën më cilësore të Evropës Juglindore. Ai bëhet i pandalshëm!”

Pavarësisht alarmit të ngritur nga specialistët, Ministria e Arsimit vijon ta shpërfillë “Largimin e Bërrylit”, siç po quhet tanimë në media. “Bullizmi vazhdon të mbetet në nivele të kënaqshme në shumicën e shkollave të vendit,” qetësoi qytetarët zëdhënësi i ministrisë, Henri Mashurka. “Në rastin më të keq, kemi gati një marrëveshje me qeverinë e Bangladeshit për të sjellë në Shqipëri 2000 adoleshentë të dhunshëm, sytë të flakë kuq, urtuar për terror shkollor.”

Nga ana tjetër, ka nisur eksodi masiv i psikologëve arsimorë drejt shtëpive të pleqve, ku është vënë re një trend në rritje për sa i përket këtij fenomeni, sidomos nga dora e stafit.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.