/ Politikë
/ Kronikë

Rama: Kush i ndaloi të bllokuarit të bëhen kryeministra e të fluturojnë me helikopter?

|Nga: Redaksia Lemza
Rama: Kush i ndaloi të bllokuarit të bëhen kryeministra e të fluturojnë me helikopter?

NË AJËR — I lodhur nga ankesat e pafundme të qytetarëve që kanë mbetur të izoluar prej orësh në aksin Prrenjas-Librazhd, si pasojë e rrëshqitjes së rrugës, Kryeministri ka dalë sot me një reagim të ashpër, duke u kujtuar shqiptarëve se faji për bllokimin e tyre në trafik është tërësisht mungesa e ambicies personale.

Duke folur nga komoditeti i helikopterit shtetëror, teksa po fluturonte mbi radhët kilometrike të makinave të mbuluara nga balta, KM u shpreh i zhgënjyer me “kulturën e viktimizimit” që ka kapluar popullin dhe me pritshmëritë e tyre fëminore ndaj shtetit.

“Shqipëria është një vend i lirë, demokratik dhe me mundësi të barabarta për të gjithë,” shkroi KM në një post në X. “Kush i ndaloi këta njerëz që po ankohen aty poshtë të themelonin një parti, të fitonin zgjedhjet, të merrnin mandatin e tretë, dhe të udhëtonin të qetë me helikopterin e Forcave të Armatosura? Askush! Por ata zgjodhën rrugën e dembelizmit: blenë një makinë me gaz, u nisën për Korçë pa asnjë vizion për të ardhmen dhe tani qajnë se u ra një gjysmë mali mbi kokë.”

KM theksoi gjithashtu se diferenca mes atyre që fluturojnë të lirë në qiell dhe atyre që presin me dëshpërim në mëshirë të ekskavatorit, është thjesht çështje merite dhe pune të palodhur. “Nëse nuk doni të bllokoheni nga rrëshqitjet e dherave dhe të thithni pluhur gurësh, atëherë punoni fort, bëhuni Kryeministër dhe lëreni gravitetin apo erozionin të jetë problem i fakirëve me makina, jo i juaji.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.