/ Sociale
/ Politikë
/ Shëndeti

Nis fushata për vaksinimin dhe adoptimin e patronazhistëve të rrugës

|Nga: Redaksia Lemza
Nis fushata për vaksinimin dhe adoptimin e patronazhistëve të rrugës

TIRANË — Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me disa organizata për mbrojtjen e specieve politike, kanë nisur një fushatë mbarëkombëtare për kapjen, vaksinimin dhe adoptimin e patronazhistëve të braktisur që po enden rrugëve të kryeqytetit. Sipas ekspertëve, qindra patronazhistë u nxorën në rrugë menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të kaluara. Të lënë pa zyra elektorale, pa fushatë dhe pa listat e tyre të dashura në Excel, ata tani sillen rrotull nëpër lagje, të uritur, të çorientuar dhe duke u lehur kalimtarëve të rastësishëm: “Vrap te qendra e votimit!”

“Është vërtet e dhimbshme t’i shohësh në këtë gjendje,” u shpreh drejtoresha e Qendrës për Mbrojtjen e Vullnetarëve Politikë (QMVP), teksa po hidhte disa fletëpalosje elektorale në një tas plastik për të ushqyer një patronazhist të dobësuar rreth të 40-ave. “Këto krijesa dikur mbaheshin ngrohtë në shtabe elektorale, ushqeheshin me sufllaqe falas dhe premtime për vende pune në administratë. Tani i sheh tek gërmojnë nëpër kosha mbeturinash me shpresën se do gjejnë ndonjë kartë identiteti.”

Për të menaxhuar popullatën e tyre, ekipet e shpëtimit po zbatojnë metodën VSM (vaksinim, sterilizim, matrikulim). Si fillim, secili patronazhist merr një dozë kundër “Tërbimit Militant, më pas sterilizohen për t’u siguruar që ata nuk do të shumohen duke krijuar databaza të reja të pakontrolluara para zgjedhjeve të vitit të ardhshëm, dhe në fund u vendoset një matrikulë në vesh, për t’u treguar qytetarëve se janë të parrezikshëm dhe të skeduar.

Aktivistët po u bëjnë thirrje familjeve shqiptare të hapin dyert dhe të adoptojnë një prej tyre. Ata theksojnë se, pavarësisht pamjes së tyre ndonjëherë agresive gjatë fushatave zgjedhove, me pak dashuri ata mund të kthehen në anëtarë besnikë të familjes. Megjithatë, veterinerët politikë paralajmërojnë pronarët e rinj të tregojnë kujdes. Këshillohet që gjatë darkave familjare të mos flitet keq për qeverinë, pasi patronazhisti mund të trembet, të urinojë mbi tapet dhe të dërgojë instinktivisht një raport në WhatsApp-in e kryeplakut të lagjes.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.