TIRANË — Dita e djeshme ka qenë një maratonë e vërtetë “shkarkimesh” në Kryeministri. Pasi firmosi me shpejtësi shkarkimin e disa ministrave, Kryeministri i vendit ka vazhduar vrullin e tij të pastrimit total duke shkarkuar edhe kasetën e banjës së katit të dytë. Sipas burimeve brenda godinës, ky “shkarkim” erdhi papritur rreth orës 22:30, kur KM doli nga tualeti personal, fshiu duart dhe deklaroi se “sqolli nuk mbante më dhe duhej një rifreskim total i tij”.
Analistët politikë që po ndiqnin minutë pas minute lëvizjet e KM, e trajtuan këtë shkarkim të kasetës si një hap tërësisht logjik dhe të pashmangshëm. “Ishte e qartë që qypi i banjës e kishte mbushur kupën…” tha opinionisti i njohur, Fatos Mëllenja. “Prej ditësh, aty kishte një bllokim, një lloj rëndese kundërmuese të padurueshme. KM bëri atë që duhej të bënte: shtypi butonin e madh dhe dërgoi gjithçka drejt kanalizimeve.”
Burimet pranë oborrit kryeministror theksuan se shkarkimi ishte i plotë (u përdor butoni i madh i kasetës) dhe jo një shpëlarje e pjesshme me butonin e vogël ekologjik, duke treguar vendosmërinë e KM për të mos lënë asnjë gjurmë nga e kaluara e fëlliqur. Ky zell i paprecedentë për shkarkime ka terrorizuar pjesën e mbetur të administratës. Zv/ministrat dhe drejtorët e mbetur raportohet se po qëndrojnë të fshehur nën tavolina, pasi dëgjuan KM të thoshte nëpër korridore: “Tani më duhet të shkarkoj edhe ca gjëra të tjera… ku e kam telefonin të shkarkoj atë VPN-në pa lekë?”
Dilema e radhës për analistët është se çfarë lloj uji do ta mbushë kasetën e zbrazët. Sipas burimeve, ujërat e reja duhet të kenë ardhur direkt nga rrjeti i UKT-së, megjithëse opozita pretendon se ai ujë vjen i ndotur dhe nuk ka për të ndryshuar asgjë në thelb.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.