/ Bota

Raporti sekret / CIA përdor video-telefonatat e mamave shqiptare si mjet torture

|Nga: Redaksia Lemza
Raporti sekret / CIA përdor video-telefonatat e mamave shqiptare si mjet torture

LENGLI, VIRXHINIA — Një raport i rrjedhur së fundmi nga burime të brendshme të inteligjencës amerikane ka zbuluar një ndryshim drastik në manualin e marrjes në pyetje të CIA-s. Sipas dokumenteve sekrete, agjentët kanë hequr dorë përfundimisht nga torturat tradicionale si “waterboarding”, për t’i lënë vendin një metode shumë herë më shkatërruese për psikikën njerëzore: detyrimit të të burgosurve të qëndrojnë në dhomë gjatë një video-telefonate të një mamaje shqiptare me të afërmit në emigrim. Sipas ekspertëve të sigurisë, asnjë spiun i stërvitur apo terrorist i thekur nuk mund të rezistojë më shumë se 8 minuta pa u thyer emocionalisht dhe pa rrëfyer çdo sekret shtetëror.

Dokumentet e deklasifikuara shpjegojnë me detaje se si funksionon kjo armë e re psikologjike. I dyshuari lidhet në një karrige, ndërsa në krah të tij ulet një grua rreth të 50-ave, e cila mban telefonin e saj fiks 5 centimetra larg fytyrës, me volumin të ngritur në maksimum. Edhe në qoftë se i burgosuri kalon me sukses fazën e parë të torturës, ku mamaja mban kamerën shtrembër dhe ulërin çdo pyetje me sa ka në kokë, goditja e pashmangshme vjen kur, pa asnjë paralajmërim, mamaja kthen ekranin e telefonit dhunshëm nga fytyra e të burgosurit të lidhur duke i thënë: “Fol pak me nusen e xhaxhait, t’i bësh të fala!” Presioni për të gjetur një temë bisede me një grua të panjohur nga ekrani i krisur i një Samsungu të 2017-s, thyen çdo lloj rezistence.

“Kishim një spiun iranian që nuk fliste prej tre muajsh,” rrëfen në mënyrë anonime një agjent i CIA-s. “I sollëm një teto nga Fieri dhe e lidhëm në video-telefonatë me dy kunatat e saj në Greqi dhe një djalë teze në Angli. Në minutën e shtatë, kur tetoja e pyeti të burgosurin ‘Hë të keqen, po nuse kur do na marrësh se të iku mosha?’, ai filloi të qante me dënesë dhe na dha fjalëkalimet e serverëve bërthamorë vetëm që t’i jepnim fund telefonatës.”

Organizatat e të Drejtave të Njeriut, përfshirë Amnesty International, kanë reaguar me ashpërsi duke e quajtur këtë praktikë një shkelje flagrante të Konventës së Gjenevës. “Të detyrosh një qenie njerëzore të përgjigjet 40 herë rresht me fjalët ‘Po ja, s’kemi ndonjë gjë të re, shtyjmë’ ose të dëgjojë detajet e analizave të gjakut të fqinjit të tezes përmes vivavoçes, është një mizori që kalon çdo limit njerëzor,” tha zëdhënësi i organizatës.

Pavarësisht kritikave, CIA raportohet se po teston një nivel edhe më të avancuar të kësaj torture: futjen e të burgosurit në një “Grup Fisi” në Viber, ku shpërndahen foto të foshnjave të fisit çdo ditë që ka dhënë perëndia.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.