TIRANË — Në kuadër të revolucionit digjital dhe përpjekjeve për të modernizuar menaxhimin e tubimeve qytetare, AKSHI në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë prezantuar sot shërbimin më të fundit në portalin e-Albania: “Aplikim për Thyerje Kocke të Personalizuar nga FNSH”. Sipas autoriteteve, ky shërbim inovativ vjen për t’i dhënë fund kaosit në sheshe dhe fluksit të papritur në Spitalin e Traumës, duke u mundësuar protestuesve të planifikojnë zhdëpjet në dru sipas dëshirës.
Gjatë prezantimit të modulit të ri, zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Thimo Micka, e cilësoi këtë risi si një hap gjigant drejt standardeve evropiane të ruajtjes së rendit. “Koha kur policia godiste kuturu me shkop gome, duke i thyer qytetarit klavikulën ndërkohë që ai kishte thjesht nevojë për një ndrydhje të lehtë të kyçit, ka marrë fund,” theksoi zëdhënësi para mediave. “Përmes e-Albania, ne ofrojmë transparencë. Efektivët e policisë do të kenë në tabletat e tyre një listë të saktë të kockave të rezervuara për t’u thyer, duke shmangur kështu mbivendosjet dhe keqkuptimet me qytetarët.”
Procedura është e thjeshtë dhe mund të kryhet nga çdo smartphone nëpërmjet aplikacionit e-Albania, 48 orë para nisjes së protestës. Qytetari ka mundësi të zgjedhë kockën që dëshiron t’i thyhet (tibia e djathtë, kocka e hundës apo gishti i dorës) si dhe mjetin e preferuar të goditjes (shkop gome standard, me fibër karboni, apo çizme numër 44). Pas aplikimit, sistemi gjeneron një barkod.
Shërbimi është pritur çuditërisht mirë nga protestuesit. Agimi, një 55-vjeçar i cili merr pjesë në çdo tubim që prej dhjetorit të 1990-s, u shpreh tejet i lehtësuar. “Dje aplikova për të thyer krahun e majtë,” tregon ai teksa i vendosin allçinë te Trauma. “Unë jam djathtak dhe më duhet dora e djathtë për të pirë kafen e mëngjesit dhe për të mbajtur pultin e televizorit. Më parë hyja në protestë i tmerruar, se nuk dija ç’kishte rezervuar fati. Tani e di me saktësi çfarë më pret. Aplikova për thyerje të thjeshtë të krahut, polici pa QR Kodin, më dha një goditje të pastër ortopedike dhe më uroi shërim të shpejtë.”
Ministria e Shëndetësisë bën me dije se qytetarët që aplikojnë përmes e-Albania fitojnë gjithashtu një zbritje prej 10% nëse blejnë paterica te farmacia e Kolit.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.