/ Sociale
/ Teknologji

Markuçino, produkti më i ri për kafedashësit

|Nga: Redaksia Lemza
Markuçino, produkti më i ri për kafedashësit

TIRANË — Për t’iu përgjigjur kërkesës së paprecedentë të shqiptarëve për kafeinë, lideri i kafeneve në vend “Mokra” ka prezantuar sot inovacionin më të fundit, quajtur Markuçino. Kjo pije e re nuk shërbehet as në filxhan qeramike, dhe as në gotë kartoni, por pompohet me presion përmes një zorre të gjelbër kopshti (markuçi) nga makina e ekspresit drejt e në ezofagun e klientit.

“Sistemi funksionon fiks si një pompë karburanti ose lavazh makinash,” deklaroi manaxheri i kompanisë, Samet Shkkuma, teksa mbante në sup një markuç gome rreth 15 metra të gjatë. “Klienti afrohet te kasa, zgjedh llojin e kafesë, paguan dhe pastaj thjesht hap gojën. Banakieri tërheq këmbëzën e markuçit dhe lëshon një rrëke kapuçinoje mbi klientin.”

Klientët e parë që testuan Markuçinon sot në mëngjes në pikën në rrugën Myslym Shyri u shprehën të kënaqur me efikasitetin e produktit. “Është fantastike,” thotë një arkitekt 28-vjeç, teksa fshin shkumën e qumështit nga vetullat dhe xhupi. “Gjithmonë e kam urryer atë momentin kur kafja ftohet në fund të gotës. Me Markuçinon, ti nuk e pi kafen, kafja të pushton. Thjesht mbyll sytë, mbaj frymën dhe lëre banakierin të të vadisë shpirtin me kafe të nxehtë. E vetmja e metë është që po nuk the ‘stop’ në kohë, mund të mbytesh nga shkuma.”

Sipas rregullores së re, Markuçino nuk shitet me gotë, por matet me sahat uji. Klienti tarifohet për sekondë (55 lekë/sekonda e mbajtjes së gojës hapur).

Për ditët e nxehta të verës, kompania premtoi se do të nxjerrë në treg edhe variantin Frapuçino me Zorrë Zjarrfikëseje, e krijuar posaçërisht për të freskuar grupe prej 10-15 personash njëherazi.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon