TIRANË — Përballë kërkesës gjithnjë e në rritje të turistëve të huaj për eksperienca autentike dhe agroturizëm të egër, Ministria e Turizmit dhe Kryesia e Kuvendit kanë marrë një vendim historik. Duke filluar nga muaji i ardhshëm, Parlamenti i Shqipërisë do të ndryshojë zyrtarisht markën e tij (rebrand) dhe do të promovohet në guidat ndërkombëtare si “Ferma e Gomarëve Më e Madhe në Ballkan”. Projekti synon të kthejë seancat e tensionuara dhe kaotike plenare në një atraksion turistik me pagesë, duke kapitalizuar mbi shtazërinë e 140 “ekzemplarëve” që mblidhen aty çdo të enjte.
Ideja për këtë transformim erdhi pasi ekspertët e marketingut vunë re se të huajt adhuronin kafshët e punës nëpër fshatrat shqiptare. “Pamë që turistët evropianë vdisnin të bënin foto me gomarët në Theth apo në Jug,” tha drejtori i fushatës së re turistike, duke qeshur. “Por gomarët e fshatit janë të lodhur nga puna dhe abuzimi, kështu që janë të papërshtatshëm për këtë rol. Pastaj kthyem sytë nga salla e Kuvendit dhe pamë 140 ekzemplarë të ushqyer mirë, të ulur në karrige lëkure, që bëjnë zhurmë, grinden, përplasin këmbët dhe refuzojnë të lëvizin nga vendi i tyre me një kokëfortësi që e gjen vetëm te thundrakët.”
Sipas broshurës së re turistike, salla e Parlamentit tani do të quhet “Stalla Plenare”. Turistët do të kenë mundësi të shohin nga ballkoni i vizitorëve sjelljen e tufës gjatë debateve të ligjeve, apo momentin kur ushqehen me jonxhë cilësore Vaqarri. Ndërkohë, rojet e Gardës së Republikës kanë nisur një trajnim të ri nga veterinerët e kopshtit zoologjik në mënyrë që të jenë të përgatitur për çdo situatë në të ardhmen.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.