/ Shëndeti
/ Udhëtime

Hipopotamët zgjedhin Shqipërinë për turizëm dentar

|Nga: Redaksia Lemza
Hipopotamët zgjedhin Shqipërinë për turizëm dentar

TIRANË — Pas fluksit të pandalshëm të qytetarëve italianë që mbushën klinikat e kryeqytetit për të rregulluar dhëmbët, industria e turizmit dentar në Shqipëri ka kapur një tjetër target-grup masiv. Gjatë javëve të fundit, qindra hipopotamë kanë zbritur në Aeroportin e Rinasit, të etur për t’i veshur çatajtë e tyre 50-centimetërsh me zirkon dhe për të marrë atë “Hollywood Smile” të shumëkërkuar, me një fraksion të çmimit evropian. Sipas Shoqatës së Stomatologëve, kjo klientelë e re po shpëton ekonominë, edhe pse po shkatërron plotësisht karriget e klinikave.

Arsyeja pse këta gjigantë 3-tonësh po braktisin Evropën për klinikat e Astirit dhe Komunës së Parisit është thjesht ekonomike. Një agjenci turistike dentare e sapohapur, Nile Smile Dental, ofron paketa të papërballueshme për konkurrencën e huaj. Për vetëm 2,500 Euro, një hipopotam përfiton:

Përshtatja me këtë klientelë ka qenë një sfidë titanike për stomatologët shqiptarë. Dr. Iliri, pronar i një klinike në Rrugën e Kavajës, tregon se instrumentet tradicionale dolën jashtë përdorimit që në ditën e parë. “Kur erdhi pacienti i parë, një mashkull alfa nga lumi Zambezi, theva tre turjela vetëm për t’i hequr gurëzat,” shpjegon ai teksa mban veshur një skafandër saldatori. “Tani e kemi ndërruar komplet teknologjinë. Për pastrimin e kanaleve përdorim sonda pusesh uji, ndërsa për limimin e çatajve përdorim gur fresibël Makita të blerë te rruga e burgut. Materiali i zirkonit nuk na vjen më me epruveta, por e porosisim me autobetoniere.”

Mirembe, një hipopotam 12-vjeçar, doli mesditën e sotme nga një klinikë në zonën e Bllokut me një buzëqeshje verbuese. “Në Itali më kërkuan 45 mijë euro vetëm për një urë në nofullën e poshtme,” hungërin ai i lumtur. “Këtu në Tiranë jo vetëm që e bëra të gjithë gojën me zirkon për 2 mijë euro, por mjeku më qerasi edhe me një kafe dhe më dha garanci 10 vjet. Njerëzit këtu janë shumë mikpritës, edhe pse trafiku rëndohet pak kur ne ulemi të pushojmë në mes të kryqëzimit.”

Ndërkohë që biznesi lulëzon, shqiptarët e thjeshtë po përballen me një krizë të re. Radhët e gjata të hipopotamëve që presin për provën e nofullës kanë bllokuar trotuaret, dhe gjetja e një orari për një mbushje të thjeshtë dhëmbi është bërë e pamundur. “Kam një muaj me dhimbje dhëmballe,” ankohet një pensionist nga Tirana. “Mora dentistin në telefon dhe më tha: ‘O xhaxhi, nuk të marr dot sot se kam tre hipopotamë për t’u vënë impiante titani, hajde nga muaji tjetër!’”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.