/ Politikë
/ Showbiz

Reagon Korrupsioni: Ndihem i përdorur

|Nga: Redaksia Lemza
Reagon Korrupsioni: Ndihem i përdorur

TIRANË — Pas deklaratës së ftohtë të ish-ministres se me Korrupsionin nuk ka fare lidhje, ai vendosi të thyejë heshtjen. I kapur nga i dërguari ynë në një kafene pranë Unazës së Re (për të cilën ai thotë se është “fëmija i tyre”), Korrupsioni u shfaq i rrënuar emocionalisht. Sipas tij, injorimi që ministrja i bëri është goditja më e rëndë që ka marrë ndonjëherë në 30 e kusur vite karrierë në administratën shqiptare. Me sytë e skuqur dhe zërin që i dridhej, Korrupsioni tregoi për Lemzën se si e kishte përjetuar këtë poshtërim publik. Ai pretendon se mes tyre kishte një kimi të jashtëzakonshme që nuk mund të reduktohet në një “friend-zone”. 

“Kur dëgjova që tha ‘s’kam lidhje’, më ra pika,” psherëtiu Korrupsioni, duke fshirë lotët me një aneks kontrate. “Po ato netët e vona kur shtonim nga 50 milionë euro për kilometër te Rruga e Arbrit çfarë ishin, hë? Po kur i jepnim tenderin e mirëmbajtjes kompanisë që sapo ishte hapur para dy ditësh? Unë mendoja se po ndërtonim një të ardhme bashkë, por ministrja thjesht më paska përdorur.”

Pavarësisht dhimbjes, Korrupsioni u shpreh se jeta vazhdon dhe se ai është një fenomen shumë i kërkuar në tregun shqiptar. Megjithatë, ai pranoi se kjo ndarje publike ia ka lëkundur besimin te politikanët. “Këta janë të gjithë njësoj. Të ledhatojnë, të përdorin për t’u pasuruar, të mbajnë afër sa kanë karrigen, dhe sapo shohin furgonin e Byrosë së Hetimit, bëjnë sikur s’të njohin dhe të nxjerrin bllof para kamerave. Nuk e di nëse do jem në gjendje të dashuroj më ministra pas kësaj që ndodhi.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.