TIRANË — Në një takim me mësues të zonës së Surrelit me rastin e 7 marsit, KM bëri një zotim të paprecedentë për të rritur me 20% statuset mallëngjyese, urimet patetike dhe shtrëngimet e duarve para kamerave, duke filluar nga viti i ardhshëm. Sipas qeverisë, kjo rritje historike e fjalëve të bukura do t’i ndihmojë mësuesit të përballojnë inflacionin dhe rritjen e çmimeve të shportës.
Gjatë fjalës së tij, KM sqaroi se mësuesit nuk kanë nevojë për para, pasi profesioni i tyre është një “mision i shenjtë” dhe shenjtorët, si rregull, nuk kanë lakmi ushqimet apo detyrim të paguajnë dritat. “Nëse vitet e kaluara ju kemi quajtur thjesht ‘pishtarë të dijes’, duke nisur nga 7 marsi tjetër, do t’ju quajmë ‘fenerë ndërgalaktikë të kombit’ dhe ‘heronj titanikë të shkronjave’,” deklaroi ai me dorën në zemër. “Ky shtim prej 20% në fjalorin tonë të urimeve është një mbështetje direkte për të përballuar inflacionin e lëvdatave. Dhe më e bukura, këto epitete shtesë nuk do të tatohen.” KM gjithashtu premtoi se asnjë deputet nuk do të lejohet të bëjë më pak se tre postime në Facebook gjatë 7 marsit, duke përfshirë një foto të kuruar ku përqafojnë një zyshë në pension, mundësisht me një violinë dramatike në sfond.
Të hënën, më 9 mars, pas përfundimit të festimeve, fjalimeve të bujshme dhe tharjes së luleve, mësuesit do të kthehen sërish në klasat e ftohta e me lagështirë, të gatshëm për të blerë shkumësat nga xhepi i tyre, por me mendje të fjetur nga fakti se qeveria i ka xhan 20% më shumë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.