KORÇË — Policia e Korçës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Vitrina”, duke vënë në pranga një 45-vjeçar që po transportonte 12 manekinë me tipare të theksuara të Lindjes së Mesme. Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, furgoni i bardhë i mallrave u ndalua në aksin Pogradec-Qafë Thanë rreth orës 03:00 të mëngjesit, pas dyshimeve se brenda tij fshiheshin emigrantë të paligjshëm që synonin të kalonin drejt vendeve të BE-së.
Komisariati i zonës doli në një deklaratë për shtyp duke mbrojtur arrestimin, pavarësisht faktit se asnjë nga “klandestinët” nuk kishte puls apo organe të brendshme. “Ata ishin të ngjeshur njëri pas tjetrit në pjesën e pasme të furgonit, fiks siç e kërkon manuali i trafikimit,” raportoi shefi i operacionit. “Ajo që na bëri dyshues ishte qetësia e tyre absolute dhe, më e rëndësishmja, ata nuk kishin as krahë dhe as këmbë, taktikë e njohur kjo e klandestinëve për të zënë sa më pak volum në bagazh.” Policia theksoi se ngjyra e tyre e errët e plastikës dhe vështrimi i tyre i rraskapitur, përputhej plotësisht me profilin psikologjik të një refugjati sirian që sapo ka kaluar kufirin malor në këmbë.
Nga qelia e paraburgimit, i dyshuari Kliti Pepo, me profesion shofer mallrash, i ka quajtur akuzat absurde. Ai pretendon se thjesht po bënte një rrugë transporti për llogari të një butiku rrobash te Tregu i Medresesë në Tiranë, dhe se manekinët ishin prodhuar rastësisht në një fabrikë në Damask, prandaj edhe mbanin etiketën “Made in Syria”. “Lufta në Siri ka mbaruar me kohë, ku i gjeta këta sirianë unë bre, se na luajtët nga mendtë,” shtoi i riu.
Pavarësisht pretendimeve të shoferit, Prokuroria ka refuzuar t’i lirojë manekinët, duke i dërguar ata në Qendrën e Azilkërkuesve në Babrru deri në verifikimin e plotë të statusit të tyre. Ndërkohë, tre prej tyre janë arratisur nga qendra dhe janë parë të hipnin tragetin Durrës-Bari.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.