/ Kronikë

Fëshfëshja e xhupit prish solemnitetin e ngushëllimit

|Nga: Redaksia Lemza
Fëshfëshja e xhupit prish solemnitetin e ngushëllimit

KAVAJË - Shtëpia e kapluar nga heshtja e zisë dhe pikëllim të thellë është kthyer papritur në skenën e një katastrofe, kur përqafimi ngushëllues mes dy burrave u përçudnua nga tingulli agresiv plastik i një xhupi të fryrë dimëror.

Ngjarja e rëndë raportohet të ketë ndodhur të dielën pasdite, kur 52-vjeçari Behar Cikma, i veshur me një xhup 100% poliestër fringo të ri, iu afrua të zotit të shtëpisë për t’i dhënë ngushëllimet tradicionale. Sipas dëshmitarëve, në momentin që gjoksi i Beharit u takua me supet e të afërmit të pikëlluar, ngushëllimi u asgjësua nga fëshfëshja qesharake dhe solemniteti i vakisë u prish përgjithmonë.

“M’u rrëqeth mishi,” rrëfeu për Lemza News një nga familjarët e përzishëm. “Jo vetëm fjalët e mikut, por edhe përlotja e tij u kamuflua nga fëshfëritja e mallkuar e xhupit.”

Pas ndodhisë, Behar Cikma mësohet të ketë qëndruar pa xhup gjatë gjithë kohëzgjatjes së funeralit, duke u shtruar ditën tjetër në spital me plevit të gradës së tretë.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.