/ Politikë
/ Rajoni

Rama dhe Vuçiç prezantojnë linjën e përbashkët të gazit lotsjellës të skaduar

|Nga: Redaksia Lemza
Rama dhe Vuçiç prezantojnë linjën e përbashkët të gazit lotsjellës të skaduar

TIRANË / BEOGRAD — Pas vitesh bashkëpunimi në nisma rajonale dhe reciprociteti të habitshëm homoerotik, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç  kanë prezantuar “Vintage Tears”, linjën e përbashkët të gazit lotsjellës të skaduar. Produkti, i cili pritet të monopolizojë tregun e protestave nga Tirana në Beograd, vjen si një bashkim mes ëndrrës serbe për një shtet policor absolut dhe talentit shqiptar për ta kaluar këtë helmim masiv me tender pa garë.

Gjatë ceremonisë së prezantimit, ku të ftuarve iu shpërndanë maska kundërgaz të dizajnuara nga vetë Kryeministri Rama, dy liderët shpjeguan vizionin e tyre pas këtij produkti.

“Vumë re se qytetarët e dy vendeve gjithnjë e më shpesh po derdhin lot për shkak të ekonomisë, korrupsionit galopant apo shpopullimit sakatues,” u shpreh KM shqiptar, teksa ledhatonte një bombol të ndryshkur. “Ndaj, ne thamë: pse të mos bashkëpunojmë, dhe t’ia bëjmë këtë të qarë një përvojë ndryshe? Me kalimin e viteve, përbërësit kimikë janë maturuar brenda bombolave prej llamarine duke krijuar një buqetë aromash më komplekse, që u ofron protestuesve një melankoli të thellë ekzistenciale, me një fije rreziku për tetanos nga ciflat e ndryshkut që fluturojnë në ajër.”

Nga ana e tij, Presidenti Vuçiç theksoi se ky produkt është një hap i madh drejt pavarësisë evropiane. “Pse të importojmë gaz lotsjellës të shtrenjtë nga Kina, kur mund të prodhojmë lotët tanë autoktonë me farmak të skaduar prej vitesh? Ky është një gaz që mban erë bashkëpunim,” theksoi ai.

“Vintage Tears” nuk synon të mbetet vetëm brenda Ballkanit. Burime pranë dy kabineteve qeveritare bëjnë me dije se po negociohet një kontratë e majme eksporti me Presidentin francez Emmanuel Macron. Thuhet se Elysee ka porositur mbi 50,000 arka për t’i përdorur në sezonin e ardhshëm të protestave të sindikatave në Paris.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.