TIRANË — Mjekësia moderne dhe folklori urban janë bashkuar sot për të shpjeguar një mutacion të ri psiko-biologjik që po prek popullatën shqiptare. Studiuesit kanë zbuluar se qytetarët e thjeshtë po pësojnë transformime të frikshme dhe po kthehen në krijesa të papërmbajtshme gjatë fenomenit të rrallë që tashmë njihet si “e-Albania e Plotë”.
Sipas gojëdhënave, ky fenomen ndodh vetëm një herë në muaj, zakonisht pas mesnate, kur serverat e AKSHI-t aksidentalisht lidhen me internetin dhe portali hapet pa bërë naze. Gjatë kësaj dritareje kohore prej pak minutash, qytetari i qetë dhe i dëshpëruar shqiptar pëson një rritje fatale të adrenalinës. Sytë i skuqen përpara ekranit, gishtat i kthehen në kthetra dhe në vend të fjalëve, lëshon ulërima prej bishe drejt familjes.
“Isha në gjumë kur burri filloi të ulërinte si egërsirë nga salloni: ‘O gruuu, sill kartat e identitetit shpejt se u haaap!’,” dëshmoi Miriam Qosja, një qytetare e traumatizuar nga Lapraka. “Sytë i ndriçonin nga drita blu e monitorit. Goja nisi t’i shkumonte kur klikoi butonin ‘Shkarko’. Filloi të printonte dokumente pa asnjë lloj logjike: nxori certifikatën familjare, dëshminë e penalitetit tim, dhe kish regjistruar një biznes për shitje skrapi. Nuk e njihja më tim shoq, ishte kthyer në një bishë të uritur për skeda në format PDF!”
Sipas ekspertëve të IT-së, mallkimi ndodh sepse, thellë-thellë, shqiptarët e dinë se portali do të bjerë sërish brenda pak minutash. Kjo frikë zgjon instinktet e tyre primordiale të kyçura thellë në ADN.
Fatmirësisht për familjarët, mallkimi i “e-Albanias së Plotë” nuk zgjat shumë. Sapo numri i njerëzve-ujqër që futen në portal kalon shifrën 14, serveri pëson kolaps, kabllot te zyrat e AKSHI-t nxehen, dhe portali kthehet në gjendjen e tij natyrale të mosfunksionimit. Në atë moment, bisha qetësohet. Gishtat i kthehen në normalitet, pulsi bie, dhe qytetari shqiptar e pranon sërish fatin e tij të mjerë.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.