/ Shkencë

Zbulimi i fundit / Është e pamundur që femrat të vonohen edhe disa orë më shumë

|Nga: Redaksia Lemza
Zbulimi i fundit / Është e pamundur që femrat të vonohen edhe disa orë më shumë

KALIFORNI — Një ekip ndërkombëtar i përbërë nga fizikanë të Universitetit Stanford dhe të fejuar që presin në divan të dëshpëruar prej orësh, ka publikuar sot një studim tronditës në revistën shkencore Nature. Pas dekadash matjesh ekzakte me kronometër jashtë dyerve të tualetit, shkencëtarët kanë vërtetuar se ekziston një tavan absolut i vonesës femërore. Teoria e re hedh poshtë besimin popullor se një grua mund të vonohet në pafundësi. Sipas studimit, është matematikisht dhe biologjikisht e pamundur që ato të vonohen edhe “disa orë më shumë” pasi çdo minutë shtesë përtej këtij limiti do të çonte në kolaps total të kohë-hapësirës.

Në dosjen e publikuar, studiuesit shpjegojnë fenomenin që ndryshe njihet si Paradoksi i Dollapit. Ky fenomen ndodh kur një femër qëndron përballë një dollapi plot me rroba dhe deklaron se “nuk ka çfarë të veshë”. Në këtë moment, graviteti i dhomës ndryshon dhe koha fillon të ecë më ngadalë për atë, por shumë më shpejt për mashkullin që pret te dera. Sidoqoftë, pas kalimit të 4 orëve nga orari i caktuar i takimit, ajo thjesht resht së përgatituri për darkë, sepse darka nuk ekziston më si koncept, duke bërë që universi të degëzohet në versione paralele.

“Boll i mëshuat stereotipit se femrat vonohen pafund,” shpërtheu gjatë konferencës për shtyp fizikani Martin Block, udhëheqësi i trupës kërkimore. “Edhe po të duan ato, është fizikisht e pamundur. Rruga e Qumështit do të palosej në dysh dhe dielli do perëndonte te tenxherja e supës. Realiteti do të ndalonte së ekzistuari, dhe pikë.”

Se sa do ndikojë ky zbulim i fundit në marrëdhëniet në çift është ende herët për të thënë, por meshkujt anembanë botës, që kanë 2 orë që presin në korridor me pallton veshur, janë optimistë.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.