/ Ekonomi
/ Shëndeti

Paratë e pista gjenden në testikujt e 80% të meshkujve

|Nga: Redaksia Lemza
Paratë e pista gjenden në testikujt e 80% të meshkujve

TIRANË — Në studim i ri që ka shokuar biologët dhe ka entuziazmuar Drejtorinë e Tatimeve, arriti në përfundimin se përqendrimi i ekonomisë informale në vend ka shkuar deri në nivele qelizore. Sipas kërkuesve, gjurmë të “parave të pista” janë gjetur në testikujt e afro 80% të meshkujve shqiptarë. Ekspertët e Institutit të Shëndetit Ekonomik dhe Riprodhimit deklaruan se fillimisht po testonin kampionët për mikroplastikë, por analizat zbuluan diçka shumë herë më shqetësuese: grimca eurosh me prejardhje shtëpitë e barit, copëza faturash të falsifikuara TVSH-je, si dhe kontrata tenderësh publikë të bëra shuk.

Kërkuesit shpjegojnë se ekspozimi ndaj pastrimit të parave në Shqipëri është aq i lartë saqë tani thithet përmes ajrit, ujit dhe poreve të lëkurës. “Prisnim të gjenim mbetje nga shishet e ujit apo tefloni i tiganëve,” u shpreh Dr. Ilir Beqo, udhëheqësi i studimit. “Nuk do ta harroj kurrë çastin kur zmadhuam një qelizë dhe pamë se në vend të ADN-së, ajo po transportonte një prerje 500-euroshe me gjurmë të dukshme kokaine.”

Ndërkohë, Ministria e Ekonomisë e ka pritur këtë lajm me një optimizëm të papritur. Në një deklaratë zyrtare, zëdhënësi i ministrisë, Idajet Keko, tha se ky studim hedh poshtë akuzat e opozitës se pasuria është e përqendruar vetëm tek një grusht njerëzish. “Kjo provon qartë se zhvillimi ekonomik dhe paratë po i shpërndahen qytetarëve shqiptarë deri në nivelin gjenetik,” tha ai.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon