/ Op-ed

Finlandezët aq dështakë saqë ndërtuan vendin më të lumtur në botë

|Nga: Katal Papandreu
Finlandezët aq dështakë saqë ndërtuan vendin më të lumtur në botë

U publikua edhe sivjet Raporti i OKB-së për lumturinë në botë dhe, për të nëntin vit radhazi, Finlanda doli në vend të parë. Njerëzit anembanë botës po u thurin elozhe finlandezëve, por nëse ndalesh një çast dhe e bluan me terezi, e vërteta është goxha dëshpëruese: Finlandezët janë një popull aq i mjerë, aq i paaftë dhe aq dështak, saqë e kishin të domosdoshme të ndërtonin një shtet perfekt, se ndryshe do ishin shfarosur. A ka popull më fakir se ky? 

Le të flasim troç. Pse i duhet një finlandezi që shteti t’i japë arsim falas, rrugë pa gropa, pagë të lartë, ajër të pastër dhe zero korrupsion? Sepse janë një tufë mjeranësh pa asnjë aftësi mbijetese!

Nëse një finlandezi i vonohet autobusi 4 minuta, i fillojnë spazmat. Nëse faturisti i dritave u flet me zë pak më të lartë se normalja, ata marrin dy javë leje nga puna për t’u rikuperuar nga trauma. Ata janë aq të ndjeshëm saqë e detyruan qeverinë e tyre të bëhej 100% e ndershme. Zemra e tyre e vockël nordike nuk e përballon dot që kryetari i bashkisë të fusë ca lekë xhepi nga tenderët e rrugëve. Mos përmendim pastaj saunat, dhomat e torturës me 90 gradë, të cilat i shpikën nga nevoja për të pasur plazhin e Currilave një furgon larg.

Lumturia e tyre është një lumturi e rreme, e mbajtur gjallë me aparatura shtetërore. Shteti i tyre i mirëqenies është thjesht një inkubator gjigant për njerëz që nuk e përballojnë dot realitetin. Pty, ditëzinjtë e dreqit!

Kampionët e vërtetë të këtij planeti jemi ne, shqiptarët.

Shqiptari është një makineri biologjike e programuar për të gjetur gëzim në mes të apokalipsit. Ne nuk kemi nevojë për “shtet të hairit” për të jetuar jetën. Përkundrazi, sa më shumë na shkel shteti me këmbë, aq më shumë na shtohet humori. Bjer dhe një herë pa të shohësh!

Finlanda shpallet vendi më lumtur në botë për shkak të korrupsionit të papërfillshëm dhe mbështetjes sociale të lartë. Por ata as që e kanë idenë ç’është adrenalina e vërtetë. A e dinë ata ç’do të thotë të gjesh një vend parkimi poshtë pallatit në orën 9 të darkës, pa përfunduar në morg? Është një ekstazë shpirtërore që asnjë fond pensioni skandinav nuk ta jep dot.

A e dinë ata ç’do të thotë të kalosh makinën në kolaudim duke i lënë ustait një 20çe te kroskoti, ndërkohë që makina jote nxjerr blozë të zezë si oxhaku i Titanikut? Është ndjesia e fitores kundër sistemit, ndjesi që ata fatzinj nuk do ta provojnë kurrë. Kështu që le ta mbajnë raportin, se pa atë janë zero me bisht.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.