TIRANË — Një ngjarje e paprecedentë dhe tejet kërcënuese për ekuilibrat tanë institucionalë është regjistruar mëngjesin e sotëm në godinën e Presidencës. Gjatë procesit rutinë të fshirjes së pluhurave dhe kurdisjes ditore të Kreut të Shtetit, një infermiere e stafit mjekësor dëgjoi aksidentalisht një zhurmë ritmike që vinte nga kraharori i tij. Pas analizave të thelluara me stetoskop, mjekët dolën në një përfundim tronditës për të gjithë kombin: Presidenti i Republikës ka puls.
Zbulimi i këtij funksioni biologjik ka shkaktuar panik të menjëhershëm në Kryeministri, pasi deri më sot besohej gjerësisht se Presidenti funksiononte me bateri alkaline dhe menaxhohej me telekomandë direkt nga zyra e KM.
Sapo lajmi rrodhi në media, Kryeministria thirri një konferencë urgjente për shtyp për të qetësuar popullatën “Jemi thellësisht të zhgënjyer,” deklaroi Zizo Pajaziti, zëdhënësi i qeverisë. “Kur ne e emëruam këtë zotëri në krye të shtetit, ne e bëmë me mirëkuptimin e plotë që ai ishte një kukull me bateri. Fakti që ky njeri paska një sistem kardiovaskular të pavarur dhe prodhon rrahje zemre pa marrë më parë një VKM, është një shkelje e hapur e besimit tonë, dhe një devijim i papranueshëm nga marrëveshja fillestare.” Zoti Pajaziti gjithashtu shtoi se ka nisur hetimi për të zbuluar nëse ky puls është një tentativë e fshehtë e Presidentit për të krijuar një personalitet të tijin, gjë që rreptësisht ndalohet me ligj.
Zbulimi mjekësor ka ndarë në dysh ekspertët e Kushtetutës. Disa juristë pranë opozitës argumentojnë se një President ka të drejtë të ketë organe të brendshme që funksionojnë, përfshirë zemrën dhe mushkëritë.
Por juristët e mazhorancës e kundërshtojnë ashpër këtë tezë: “Neni 89 i Kushtetutës nuk e specifikon gjëkundi që Presidenti duhet të ketë rrahje zemre në kuptimin mjekësor të fjalës,” shpjegoi një deputet i komisionit të ligjeve. “Detyra e tij e vetme është të firmosë dekretet që i çojmë ne. Për këtë nuk duhet puls, mjafton një sistem i thjeshtë hidraulik në krahun e djathtë. Çdo rrahje zemre shtesë është shpërdorim i fondeve publike dhe oksigjenit.”
Për të shmangur një krizë të thellë institucionale, vetë Presidenti doli në një deklaratë publike këtë paradite. Ai u shfaq i qetë, pa lëvizur asnjë muskul të fytyrës, dhe lexoi me kujdes një letër që ia zgjati një këshilltar me tipare skuthi i Kryeministrit.
“Të dashur qytetarë, i nderuar kryeministër, ju garantoj se nuk ka vend për panik,” tha Presidenti. “Lajmet për pulsin tim janë të ekzagjeruara. Mohoj kategorikisht të kem vullnet të lirë, emocione apo qarkullim gjaku në vena. Jam dhe mbetem noterizuesi juaj i bindur.”
Pas kësaj deklarate, stafi i ndërroi bateritë kreut të shtetit dhe e ktheu sërish në zyrë për t’u përballur me tufën e ligjeve që prisnin firmën e tij.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.