LOS ANGELES / TIRANË — Gjiganti botëror i streaming, Netflix, ka njoftuar sot blerjen e të drejtave ekskluzive për transmetimin e protestave të opozitës shqiptare. Sipas drejtuesve të kompanisë, formati i protestave të Tiranës është “ëndrra e çdo producenti”: një dramë me plot efekte speciale, aksion të kontrolluar dhe një avantazh të jashtëzakonshëm; nuk i jep kurrë zgjidhje konfliktit kryesor. Seriali, i titulluar për tregun ndërkombëtar “There’s No End” (S’ka fund), pritet të thyejë rekordet e shikueshmërisë për kategorinë “Dramë / Fiksim i Kotë”.
Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Përmbajtjes Origjinale në Netflix, Tim Possible, shpjegoi pse ata investuan miliona në këtë projekt. “Në fillim kishim frikë se mos personazhet kryesore e rrëzonin qeverinë brenda tre episodeve të para dhe seriali do të anulohej. Por, pasi pamë pamjet e pesë viteve të fundit, u qetësuam. Ata na garantuan me kontratë se qeveria nuk ka për të rënë kurrë, duke na siguruar të paktën edhe 10 sezone të tjera.”
Ajo që e ka magjepsur më shumë Netflix-in është teknika jokonvencionale së cliffhanger-it (mbajtjes së audiencës në ankth). Çdo episod, pavarësisht nëse hedhin molotovë apo thjesht bërtasin me megafon, përfundon fiks para BBV apo Champions League, me fjalinë epike: “Sot i dhamë goditjen e fundit regjimit!” Të nesërmen, të gjithë shkojnë në kafene sikur asgjë mos kish ndodhur. Është diçka e paprecedentë në Hollywood.
Një tjetër element që Netflix vlerësoi është besnikëria e kastit. Personazhi kryesor mban të njëjtin fjalim për krimin dhe korrupsionin që nga Sezoni I. Ndërsa roli i antagonistit të padukshëm (Kryeministrit) vlerësohet si një lëvizje gjeniale narrative. Të gjithë flasin për të, të gjithë betohen se do ta shkatërrojnë, por ai thjesht rri në kështjellën e tij (ose në ndonjë ekspozitë pikture jashtë shtetit) dhe nuk shfaqet kurrë në fushëbetejë.
Producentët e Netflix i kanë bërë thirrje shqiptarëve të mos bëjnë spoilers për audiencën e huaj që nuk i njeh dinamikat e pushteteve në Shqipëri. Ndërkohë që pas arritjes së marrëveshjes, mësohet se Netflix po zhvillon një Spin-Off të protestës, titulluar “Mosbindja Civile.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.