/ Sociale

Gllënjka e harruar në fund të filxhanit të kafesë ndjesia më sublime e lumturisë në Tokë

|Nga: Redaksia Lemza
Gllënjka e harruar në fund të filxhanit të kafesë ndjesia më sublime e lumturisë në Tokë

TIRANË — Harrojini seksin, rritjen e rrogës, apo udhëtimin në Zakynthos. Sipas statistikave të fundit publikuar nga INSTAT, burimi i vetëm i pastër dhe i pakorruptueshëm i serotoninës për njeriun modern është një anomali e thjeshtë fizike: momenti kur mendon se e ke mbaruar kafen, anon filxhanin mekanikisht, dhe zbulon se ka mbetur edhe një gllënjkë e fundit.

Kjo masë e lëngshme prej afërsisht 5 mililitrash, shpesh e ftohtë dhe e përzier me pak llum, është klasifikuar zyrtarisht si “përvoja më e lartë shpirtërore” për shqiptarin e shekullit të 21-të.

Studiuesit anketuan mbi 15,000 persona të moshës 25-70 vjeç për të kuptuar se çfarë u jepte atyre gëzim të vërtetë. Rezultatet  pasqyronin qartë rraskapitjen e jetës moderne. Sipas të dhënave, gëzimet tradicionale si rënia në dashuri, blerja e një makine të re apo të kesh të ardhura më të mëdha se gjithë fisi nuk funksionojnë më. 

Por, gllënjka e papritur e kafesë është një dhuratë nga vetë Universi. Nuk taksohet, nuk kërkon mirëmbajtje, dhe as nuk vanitet me kalimin e kohës. Është një mrekulli e vogël që thyen monotoninë e një të marte të zymtë në zyrë. Fenomeni ndodh zakonisht rreth orës 9:30 të paradites ose 13:45 të pasdites, pikërisht kur vullneti për të jetuar dhe punuar arrin nivelin më të ulët kritik.

“Me një lëvizje instiktive, individi kontrollon filxhanin me idenë që është bosh,” shpjegon Dr. Blend Tartufi, drejtuesi i anketës. “Dhe pastaj… fizika sfidohet. Një sasi e vogël lëngu befas shfaqet në fund të filxhanit. S’ka fare rëndësi që është ftohur apo që ka shijen e uthullës. Në atë fraksion sekonde, truri lëshon një sasi dopamine të barabartë me fitimin e një lotarie.”

Për të mbrojtur këtë ekosistem delikat lumturie, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes nga fenomeni i kundërt, i cili shkakton depresion të pamasë: kur ti mendon se ke ende kafe, kthen filxhanin në kokë, dhe dëgjon vetëm rrufitjen e mallkuar boshe. Ky moment është klasifikuar si një “pabesi e pastër e Universit” që shkakton më shumë dëm emocional edhe se tradhtia bashkëshortore.

Sidoqoftë, ekspertët nxisin shqiptarët t’i mbajnë filxhanët afër dhe mos t’i lajnë menjëherë. Kurrë nuk i dihet se çfarë mrekullie e vogël mund të fshihet në fund të tyre.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.