/ Sociale

Gllënjka e harruar në fund të filxhanit të kafesë ndjesia më sublime e lumturisë në Tokë

|Nga: Redaksia Lemza
Gllënjka e harruar në fund të filxhanit të kafesë ndjesia më sublime e lumturisë në Tokë

TIRANË — Harrojini seksin, rritjen e rrogës, apo udhëtimin në Zakynthos. Sipas statistikave të fundit publikuar nga INSTAT, burimi i vetëm i pastër dhe i pakorruptueshëm i serotoninës për njeriun modern është një anomali e thjeshtë fizike: momenti kur mendon se e ke mbaruar kafen, anon filxhanin shkujdesshëm, dhe zbulon se ka mbetur edhe një gllënjkë e fundit.

Kjo masë e lëngshme prej afërsisht 5 mililitrash, shpesh e ftohtë dhe e përzier me pak llum, është klasifikuar zyrtarisht si “përvoja më e lartë shpirtërore” për shqiptarin e shekullit të 21-të.

Studiuesit anketuan mbi 15,000 persona të moshës 25-70 vjeç për të kuptuar se çfarë u jepte atyre gëzim të vërtetë. Sipas të dhënave, gëzimet tradicionale si rënia në dashuri, blerja e një makine të re apo të kesh të kesh rrogë më të lartë se gjithë fisi nuk funksionojnë më. 

Por, gllënjka e papritur e kafesë është një dhuratë nga vetë Universi. Nuk taksohet, nuk kërkon mirëmbajtje, dhe as nuk vanitet me kalimin e kohës. Është një mrekulli e vogël që thyen monotoninë e përditshmërisë. Fenomeni ndodh zakonisht rreth orës 9:30 të paradites ose 13:45 të pasdites, pikërisht kur vullneti për të jetuar dhe punuar arrin nivelin më të ulët.

“Me një lëvizje instiktive, individi kontrollon filxhanin me idenë që është bosh,” shpjegon Dr. Blend Tartufi, drejtuesi i anketës. “Dhe pastaj… fizika sfidohet. Një sasi e vogël lëngu befas shfaqet në fund të filxhanit. S’ka fare rëndësi që është ftohur apo që ka shijen e uthullës. Në atë fraksion sekonde, truri lëshon një sasi dopamine të barabartë me fitimin e një lotarie.”

Për të mbrojtur këtë ekosistem delikat lumturie, ekspertët bëjnë thirrje për kujdes nga fenomeni i kundërt, i cili shkakton depresion të pamasë: kur ti mendon se ke ende kafe, kthen filxhanin në kokë, dhe dëgjon vetëm rrufitjen e mallkuar boshe.

Sidoqoftë, ekspertët nxisin shqiptarët t’i mbajnë filxhanët afër dhe mos t’i lajnë menjëherë. Kurrë nuk i dihet se çfarë mrekullie e vogël mund të fshihet në fund të tyre.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon