/ Sociale

Nihilisti zbulon se kuptimi i jetës të blesh një qese patatina me dy mijë lekësh fallco

|Nga: Redaksia Lemza
Nihilisti zbulon se kuptimi i jetës të blesh një qese patatina me dy mijë lekësh fallco

LEZHË — Një 28-vjeçar nga qyteti i Lezhës, i cili kishte shpenzuar dekadën e fundit duke lexuar Niçen, Kamynë dhe duke u ankuar nëpër kafene se “njerëzimi është thjesht një aksident kozmik pa asnjë vlerë”, ka përjetuar dje një zgjim të papritur shpirtëror. Ai zbuloi përfundimisht kuptimin e jetës rreth orës 19:30 të pasdites, teksa arriti të blinte me sukses një qese patatina me shije paprika duke përdorur një kartëmonedhë dy mijë lekëshe fallco. Sipas dëshmisë së tij tronditëse, boshllëku i thellë i ekzistencës njerëzore u zhduk në momentin që shitësja i ktheu kusurin me lekë  të vërteta.

Elton Gjoni, i cili deri dje vishej vetëm me të zeza dhe shikonte në zbrazëti tek tymoste cigaren, tregoi se si adrenalina e krimit të vogël i riktheu vullnetin për të jetuar. “Për vite me radhë mendoja se jemi veçse pluhur yjor që pluskon në zbrazëti. Asgjë nuk kishte rëndësi,” shpjegoi ai, ndërkohë që lëpinte yndyrën e patatinave nga gishtat. “Por kur i zgjata atë dy mijë lekëshin fallco Teta Lirisë te marketi i lagjes, gjithçka ndryshoi. Zemra filloi të më rrihte fort. Befas, ingranazhet e universit m’u bënë të qarta. Nuk isha më një vdekatar i parëndësishëm!” Eltoni tregoi se në atë çast, kur nuk dinte nëse shitësja do të merrte policinë apo do të hapte sirtarin e kasës, ai kuptoi se jeta ishte thellësisht e bukur dhe e mbushur me mister.

Epifania e vërtetë goditi kur ai doli nga marketi. Kishte në dorë një pako patatina dhe një grusht me monedha të vërteta që mund t’i përdorte për të blerë pesë cigare të hapura te dyqani përballë. “Shopenhaueri thoshte se jeta lëkundet si një lavjerrës mes dhimbjes dhe mërzisë,” shtoi ai. “Por, Shopenhaueri me siguri nuk e ka provuar kurrë kënaqësinë hyjnore kur i hedh trutë e gomarit shitëses për një vlerë prej 90 lekësh të reja. Universi mund të jetë një vend i ftohtë dhe i pashpirt, por ky kusuri që po mbaj në dorë ka vlerë reale në treg.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.