/ Ekonomi
/ Udhëtime

Falimentojnë mediat pranë qeverisë / Mbarojnë revistat e huaja që lëvdojnë Shqipërinë

|Nga: Redaksia Lemza
Falimentojnë mediat pranë qeverisë / Mbarojnë revistat e huaja që lëvdojnë Shqipërinë

TIRANË — Një panik i paprecedentë ka mbërthyer redaksitë e mediave më të mëdha pranë qeverisë mëngjesin e sotëm. Pas vitesh të tëra lulëzimi, industria kombëtare e gazetarisë është në prag falimenti: në mbarë globin, nuk ka mbetur më asnjë revistë, gazetë, blog apo fletëpalosje supermarketi që nuk e ka shpallur ende Shqipërinë si “Zbulimin Turistik të Vitit”. Tashmë që burimi i vetëm i lajmeve pozitive ka shteruar, dhjetëra media po rrezikojnë mbylljen, pasi gazetarët e tyre kanë harruar si shkruhet një lajm i vërtetë që nga vera e vitit 2017.

Burime nga brenda redaksive tregojnë se kriza filloi të ndihej që muajin e kaluar, kur redaktorët kishin përkthyer çdo artikull të mundshëm nga mediat britanike, italiane, gjermane dhe spanjolle. Pasi mbaruan “The Guardian”, “The Sun” dhe “Corriere della Sera”, portalet filluan të gërvishtnin fundin e tenxheres mediatike.

“Dje arritëm pikën më të ulët,” pranon një kryeredaktor i cili kërkoi të mbetej anonim. “Përkthyem si ‘Lajm Kryesor’ një shkrim nga një revistë e një shoqate dentistësh në Zelandën e Re, ku një doktor thoshte se i pëlqente pitja arabe në Sarandë. Po mbajmë gjallë një televizion të tërë duke u kapur pas komenteve pozitive që lënë turistët çekë në TripAdvisor për kampingjet me rulota. Nëse nuk e gjej dot një artikull nga Suedia që e quan lumin e Lanës ‘Venecia e Ballkanit’ deri të premten, pronari na ka thënë që do të shkurtojë stafin,” shton kryeredaktori.

Kjo mungesë e lëndës së parë ka nxjerrë në pah kalbjen totale të aftësive profesionale në këto media. Të ashtuquajturit “gazetarë” janë në fakt thjesht operatorë të Google Translate, detyra e vetme e të cilëve ishte të merrnin fjalën angleze “budget-friendly” dhe ta shqipëronin si “parajsë me kosto zero”.

Disa prej tyre kanë kaluar në depresion të thellë profesional, pasi papritur u kërkohet të dalin në terren, të flasin me njerëz të vërtetë, apo, mos e dhëntë Zoti, të bëjnë pyetje në ndonjë konferencë shtypi. “Unë nuk di të bëj lajm tjetër! E gjithë karriera ime 5 vjeçare bazohet në gjetjen e sinonimeve për fjalën ‘Rivierë’,” ankohet një gazetare kulture. “Çfarë duhet të bëj tani? Të shkruaj për teatrin? Për abuzimet te Ministria e Kulturës? Kjo është çmenduri!”

Për të shmangur një kolaps total të makinerisë së propagandës, qeveria raportohet se po përgatit një paketë emergjence. Plani përfshin financimin e fshehtë të freelancer-ave indianë dhe pakistanezë në platformën Fiverr. Këta individë do të paguhen me 15 dollarë për të hapur blogje të rreme në gjuhën angleze, ku do të shkruajnë lavde të ekzagjeruara për thesaret turistike të vendit. Sapo këto shkrime të publikohen, mediat pranë qeverisë do t’i marrin dhe do t’i përkthejnë me tituj bombastikë për të mbushur edicionet e tyre qendrore.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.