/ Shëndeti
/ Ekonomi

Shoqata e Transportit paralajmëron reduktim të kolonoskopive

|Nga: Redaksia Lemza
Shoqata e Transportit paralajmëron reduktim të kolonoskopive

TIRANË — Një krizë e thellë po kërcënon sistemin e shëndetit publik mbi rrota. Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban ka ngritur alaramin: për shkak të rritjes së çmimit të naftës dhe reduktimit me 30% të flotës së autobusëve, faturinot nuk kanë më kapacitetin fizik të ofrojnë shërbimin e tyre të famshëm të kolonoskopisë për çdo qytetar.

Deri më sot, faturinoja i linjës së “Kombinatit” apo “Tiranës së Re” njihej si mjeku më i palodhur i Tiranës. Përmes teknikës së njohur si “A ka njeri pa biletë te dera e mesit?!” ai arrinte të çante përmes njerëzve të ngjeshur, duke u ofruar të gjithëve një ekzaminim proktologjik të thellë, falas dhe të pashmangshëm, thjesht duke u fërkuar me dhunë pas tyre për të marrë 40-lekëshin. Por matematika e re e krizës po e shkatërron këtë shërbim.

Me 30% më pak autobusë në qarkullim, mjetet e mbetura do të përballen me një mbipopullim që sfidon ligjet e fizikës. Kjo do të thotë se faturinoja, sado i përkushtuar të jetë ndaj betimit të Hipokratit, thjesht e ka të pamundur të vizitojë çdo zorrë të trashë.

“Është ku thërret qameti,” shprehet Luli, 52 vjeç, faturino dhe kryeinfermier në linjën e Kinostudios. “Përpara krizës, unë arrija të vizitoja të paktën 750 pasagjerë me një rrugë të vetme. Tani ka aq shumë fluks, saqë gjysma e njerëzve po ngelen tërësisht pa kontroll mjekësor. Kush mban përgjegjësi për shëndetin e zorrëve të tyre?”

Lajmi ka shkaktuar panik te qytetarët, të cilët mbaheshin te ky dhunim i përditshëm i hapësirës personale për t’u siguruar që gjithçka ishte në rregull me organet e tyre të brendshme.

Shoqata i ka lënë afat qeverisë deri të hënën. Ata kërkojnë subvencionim të naftës, në mënyrë që të nxjerrin sërish të gjithë flotën në terren. Vetëm në këtë mënyrë hapësira brenda urbanit mund të relaksohet mjaftueshëm sa për ta lejuar faturinon të vazhdojë misionin e tij të shenjtë të penetrimit mjekësor dhe mbledhjes së qindarkave.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.