TIRANË — Një studim i fundit nga ISHP ka zgjidhur më në fund misterin se cilës demografi i drejtohen programe si “Big Brother VIP” apo “Ferma VIP”. Pas një hulumtimi disavjeçar, ekspertët e Institutit kanë dalë në përfundimin se ky lloj reality show është një kryevepër audiovizuale e kuruar ekskluzivisht për pacientët që vuajnë nga pezmatimi akut i cipës së trurit, ose siç njihet rëndomë meningjiti.
Sipas raportit, arkitektura e këtij lloj emisioni përputhet përsosmërisht me nevojat, simptomat dhe kufizimet e një truri që po kalon një ënjtje të rëndë dhe temperaturë mbi 40 gradë. Kërkuesit vëzhguan se si trupi dhe mendja e një pacienti me meningjit reagon ndaj transmetimit të spektaklit, duke zbuluar një sinkronizim perfekt mes sëmundjes dhe përmbajtjes televizive.
“Nën efektin e halucinacioneve të shkaktuara nga temperatura e lartë, një debat 45 minutësh se “kush e la pjatën e palarë mbi banak” merr përmasa epike. Për një mendje në delir, ky është më shumë se një sherr banal. Është një përplasje ekzistenciale mes forcave të të mirës dhe të keqes. Vetëm përmes etheve mund të deshifrohet “mesazhi i fshehur” i banorëve,” shkruhet në raport. Më tej thuhet, “Pezmatimi i trurit u vështirëson pacientëve mbajtjen mend të ngjarjeve që sapo ndodhën. Gjenialiteti i formatit qëndron pikërisht këtu, duke qenë se as vetë banorët e shtëpisë/fermës nuk e mbajnë mend pse filluan të zihen 10 minuta më parë. Kjo bën që pacienti me meningjit të ndihet i përfshirë nga zhvillimi i ngjarjeve. Nuk ka asnjë skenar logjik për të ndjekur, ndaj truri i sëmurë nuk stresohet kurrë.”
Mësohet se spitalet kanë filluar tashmë ta përdorin këtë zbulim në avantazhin e tyre. Infermierët raportojnë se pacientët e prekur nga format e rënda të infeksionit të trurit kalojnë orë të tëra në paqe absolute kur shohin spektaklet në fjalë.
Mungesa totale e një mesazhi intelektual, edukativ apo qoftë edhe bazik logjik në të tilla programe, bën që lëngu cerebrospinal i pacientit të mos ketë asnjë lloj sforcimi për të përpunuar informacionin. Ekrani ofron thjesht ngjyra të ndezura dhe njerëz që qajnë pa arsye, fiks ajo që një mendje në prag të kolapsit nga infeksioni kërkon për t’u ndier rehat.
E vetmja këshillë që japin mjekët është të monitorohet shërimi i pacientit. Sapo atyre t’u bjerë temperatura dhe ënjtja e trurit të zhduket, emisioni duhet fikur menjëherë. Kur pacienti rifiton funksionet normale të logjikës, shikimi i emisioneve të tilla mund t’u shkaktojë migrenë të menjëhershme dhe dëshirën për të shkulur serumet.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.