/ Sport

Komentatori bën akrobaci gjuhësore vetëm që mos thotë "testikuj"

|Nga: Redaksia Lemza
Komentatori bën akrobaci gjuhësore vetëm që mos thotë "testikuj"

TIRANË — Një moment i sikletshëm u regjistrua dje pasdite në mikrofonin e komentit sportiv, gjatë transmetimit të një ndeshje të Serisë A italiane, kur një gjuajtje e fuqishme nga goditja e dënimit qëlloi njërin nga mbrojtësit e murit drejt e në herdhe. Për 1 minutë e 45 sekonda, publiku shqiptar qe dëshmitar i lëvrimit të përsosur të gjuhës shqipe nga ana e komentatorit, tek përdori çdo metaforë, krahasim dhe eufemizëm që gjendet në fjalor, vetëm e vetëm që të mos e shqiptonte fjalën “testikuj”.

Drama filloi në minutën e 68-të. Si fillim, rënkimi i tejzgjatur i lojtarit nuk ngjalli reagim specifik nga komentatori, por kur regjia përsëriti pamjet e goditjes fatale në slow-motion, ai u dëgjua ta përshkruante si “goditje e rëndë në pjesën e poshtme të barkut…” apo “atje ku bashkohet kofsha me legenin…”

Regjia, e pamëshirshme, riktheu pamjet nga një kënd tjetër, duke e detyruar veteranin të vazhdojë komentin, ndërkohë që lojtari ishte bërë kruspull në bar. “Doktori i ekipit po vrapon drejt fushës me ujë të ftohtë për të trajtuar dhimbjen në instrumentin e tij mashkullor…”

Situata doli tërësisht jashtë kontrollit kur arbitri i ndeshjes u thirr nga salla e VAR-it për të parë nëse kishte një prekje të topit me dorë nga lojtari në mur. Kamera e zmadhoi momentin e impaktit plot 4 herë, gjë që e detyroi komentatorin të përdorte të tjera marifete gjuhësore, si “topi lëshohet si silur mbi fondin e tij gjenetik…” apo “është një goditje dërrmuese për shpresat e tij në zgjerim të mëtejshëm të trungut familjar…” dhe duke e mbyllur me frazën epike: “Lojtari shpëton nga kartoni i kuq, por nuk mund të themi të njëjtën gjë për sistemin e tij riprodhues.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.