/ Kronikë

Krishti ngjallet disa orë para kohe për të përfituar nga ofertat e Pashkës

|Nga: Redaksia Lemza
Krishti ngjallet disa orë para kohe për të përfituar nga ofertat e Pashkës

JERUZALEM / TIRANË — Plani hyjnor për shpëtimin e njerëzimit ka pësuar një ndryshim të papritur orari këtë fundjavë. Jezu Krishti, i cili ishte programuar të ringjallej të dielën në mëngjes për të përmbushur profecitë e lashta, ka shtyrë mënjanë gurin e varrit që të shtunën pasdite. Shkaku i kësaj thyerjeje të protokollit qiellor ishte oferta e Pashkës nga një dyqan telefonash te Rruga e Kavajës: -50% për iPhone 17 Pro Max! Sasi e limituar. Vetëm për 50 blerësit e parë!

Përballë rrezikut që stoku të mbaronte para se të zbardhte e diela, Mesia vendosi ta marrë situatën në dorë dhe të përshpejtojë ringjalljen.

Engjëjt rojtarë që po prisnin në gatishmëri për ngjarjen e mëngjesit të së dielës, tregojnë se u kapën plotësisht në befasi. “I thashë: ‘Zotëri, profecia thotë qartë: Ditën e Tretë’,” tregon një nga kryeëngjëjt, ende i shokuar. “Por Ai po vishte sandalet me nxitim dhe më tregoi ekranin e thyer telefonit. ‘E shikon këtë o derman? Tregtarët sjellin vetëm 10 copë me ngjyrën e zezë që të krijojnë panik. Po prita deri nesër në mëngjes, do mbetem me ngjyrën rozë. Shpëtimi i botës nuk prishet për 12 orë’.”

Në një deklaratë të mëvonshme për mediat, Krishti u justifikua me faktin se celulari i vjetër i kishte nxjerrë shumë probleme gjatë Darkës së Fundit. “Bateria më ra fiks kur po bënim foton e grupit me dishepujt,” sqaroi Ai. “Gjithashtu, pas 40 ditësh kam Ngjitjen në Qiell. Duhet ta bëj live-stream dhe celulari i vjetër nuk bën fare foto të mira natën. Për të predikuar Ungjillin në ditët e sotme nevojitet kamera me rezolucion të lartë. Dhe fundja, nëse këto dyqane po e përdorin Kryqëzimin tim thjesht si pretekst të pafytyrë për të shitur mall, pse të mos përfitoj edhe unë pak nga uljet?”

Teologët konservatorë shprehen thellësisht të tronditur nga ky zhvillim, por agjencitë e marketingut po e festojnë si fitoren më të madhe absolute të konsumerizmit mbi fenë: një fushatë reklamuese aq e fortë, saqë bëri dhe vetë Zotin të ngrihej nga varri para kohe.

Megjithatë, burime pranë Parajsës bëjnë me dije se entuziazmi i Mesisë ra ndjeshëm kur mbërriti në shtëpi. Pasi hapi kutinë e telefonit të ri nga i cili priste mrekullinë e radhës, Ai zbuloi atë që është vërtet mëkati i pafalshëm i kapitalizmit modern: karikuesi nuk ishte i përfshirë në çmim.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.