/ Kronikë

Krishti ngjallet disa orë para kohe për të përfituar nga ofertat e Pashkës

|Nga: Redaksia Lemza
Krishti ngjallet disa orë para kohe për të përfituar nga ofertat e Pashkës

JERUZALEM / TIRANË — Plani hyjnor për shpëtimin e njerëzimit pësoi një ndryshim të papritur orari këtë fundjavë. Jezu Krishti, i cili ishte programuar të ringjallej të dielën në mëngjes për të përmbushur profecitë e lashta, ka shtyrë mënjanë gurin e varrit që të shtunën pasdite. Shkaku i kësaj thyerjeje të protokollit qiellor ishte oferta e Pashkës nga një dyqan telefonash te Rruga e Kavajës: -50% për iPhone 17 Pro Max! Sasi e limituar. Vetëm për 50 blerësit e parë!

Përballë rrezikut që stoku të mbaronte para se të zbardhte e diela, Mesia vendosi ta marrë situatën në dorë dhe të përshpejtojë ringjalljen.

Në një deklaratë të mëvonshme për mediat, Krishti u justifikua me faktin se celulari i vjetër i kishte nxjerrë shumë probleme gjatë Darkës së Fundit. “Bateria më ra fiks kur po bënim foton e grupit me dishepujt,” sqaroi Ai. “Gjithashtu, pas 40 ditësh kam Ngjitjen në Qiell. Duhet ta bëj live-stream dhe celulari i vjetër nuk bën fare foto të mira natën. Për të predikuar Ungjillin në ditët e sotme nevojitet kamera me rezolucion të lartë. Dhe fundja, nëse këto dyqane po e përdorin Kryqëzimin tim si pretekst të pafytyrë për të shitur mall, pse të mos përfitoj edhe unë nga uljet?”

Teologët konservatorë shprehen të tronditur nga ky zhvillim, por agjencitë e marketingut e quajnë fitoren më të madhe të konsumerizmit mbi fenë: një fushatë reklamuese aq e fortë, saqë bëri dhe vetë Zotin të ngrihej nga varri para kohe.

Megjithatë, burime pranë Parajsës bëjnë me dije se entuziazmi i Mesisë ra ndjeshëm kur mbërriti në shtëpi. Pasi hapi kutinë e telefonit të ri nga i cili priste mrekullinë e radhës, Ai zbuloi atë që është vërtet mëkati i pafalshëm i kapitalizmit modern: karikuesi nuk ishte i përfshirë në çmim.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon