/ Ekonomi

Paria e vendit nuk i pranon trangullin dhe domaten si simbole luksi

|Nga: Redaksia Lemza
Paria e vendit nuk i pranon trangullin dhe domaten si simbole luksi

TIRANË — Rritja e frikshme e çmimeve të zarzavateve në tregjet e kryeqytetit së fundmi nuk ka goditur vetëm pensionistët dhe shtresën e ulët. Një krizë e thellë identiteti ka përfshirë papritur edhe shtresën më të pasur të vendit.

Paria e Tiranës ndihet e fyer që produkte bazike si domatja dhe kastraveci po shtrenjtohen aq shumë, saqë po fillojnë të trajtohen si asete luksi, duke u eklipsuar simbolet e vërteta të pasurisë.

Disa prej tyre raportojnë situata të sikletshme në rrethet shoqërore, ku tashmë nuk është më in të mburresh me një orë Rolex apo me pushime në Maldive, por të postosh në Instagram një arkë me tranguj të freskët.

“Mua më ka rënë bretku gjithë jetën me tendera dhe koncesione për të pasur mundësinë të ha havjar, tartuf dhe mish Wagyu,” deklaroi manjati i njohur, Gentian Sharrafredo, tek zbriste nga fuoristrada e tij. “Por kur shkoj në një restorant VIP në Bllok, kamarieri më ofron si pjatën më ekskluzive të shtëpisë një ‘Sallatë Fshati’ me një çmim që rivalizon shampanjën franceze. U ndjeva i varfër! Ne nuk mund të lejojmë që ca perime të thjeshta që rriten me pleh të barazohen me luksin tonë elitar!”

Shoqëria e lartë ankohet se perimet kanë qenë historikisht “ushqimi i popullit”. Të pasurit duhej të vuanin nga kolesteroli dhe cërma prej konsumit të tepërt të mishit dhe ushqimeve të rënda.

Përballë kësaj situate absurde, elita e kryeqytetit po i bën thirrje qeverisë të ndërhyjë urgjentisht për të ulur çmimet. Ata kërkojnë që domatja dhe kastraveci të rikthehen te çmimi i tyre i lirë e proletar, në mënyrë që fakirët të vazhdojnë të hanë shëndetshëm, ndërsa të pasurit të rikthehen të qetë te shpenzimet e tyre snobe, pa frikën se një trangull do t’i bëjë të duken si njerëz të thjeshtë.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon