/ Shëndeti
/ Sociale

OBSH: Shqipëria me numrin më të ulët të mjekëve sexy në rajon

|Nga: Redaksia Lemza
OBSH: Shqipëria me numrin më të ulët të mjekëve sexy në rajon

GJENEVË / TIRANË — OBSH ka publikuar sot një raport që nxjerr në pah një tjetër krizë në sistemin shëndetësor shqiptar. Sipas “Indeksit të Atraktivitetit Klinik”, Shqipëria radhitet e fundit në rajon për numrin e mjekëve të pashëm, tërheqës dhe me fizik të kuruar, duke shkaktuar një rënie drastike të dëshirës së qytetarëve për t’u vizituar.

Sipas ekspertëve ndërkombëtarë, ndërkohë që problemet me ilaçet apo aparaturat mund të tolerohen, mungesa e mjekëve sexy vendas është e papranueshme për pacientët.

Raporti thekson se pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë janë rritur nga serialet amerikane dhe telenovelat turke. Kur përballen me realitetin e spitaleve shtetërore, goditja është e papërballueshme.

“Pacientët shkojnë në urgjencë me shpresën se do t’u matë tensionin një mjek i gjatë, misterioz, me sy të gjelbër dhe nofull të theksuar,” shpjegon Dr. Hans Weber, hartues i raportit të OBSH-së. “Por realiteti klinik shqiptar është i pamëshirshëm. Në vend të tij, del doktor Llukani, 58 vjeç, me përparëse të kopsitur shtrembër, dhe që mban erë byrek me gjizë. Kjo e bën procesin e shërimit dy herë më të ngadaltë.”

Të dhënat tregojnë se 78% e vajzave të reja që shkojnë për të hequr apandesitin kthehen në shtëpi thellësisht të zhgënjyera, pasi asnjë mjek nuk i vështroi thellë në sy për t’u thënë me zë sensual e dramatik: “Nuk do lejoj të të ndodhë asgjë.” Sipas ekspertëve, ky deficit nuk vjen nga mungesa e gjeneve, por nga fenomeni i njohur si “Ikja e Bicepsit”. Gjermania dhe vendet e tjera të BE-së po na marrin jo vetëm profesionistët më të aftë, por edhe ata më sexy.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.