TIRANË — Një i ri nga Tirana që kishte synim shkatërrimin e njerëzimit duke hapur një artefakt të lashtë mitologjik, ka mbetur tejet i zhgënjyer nga cilësia e blerjes online. Pasi porositi “Kutinë e Pandorës - 100% Autentike me të Gjitha Sëmundjet e Botës” në aplikacionin Temu për vetëm 3.99 dollarë me transport falas, ai zbuloi se apokalipsi Made in China lë shumë për të dëshiruar.
Në vend që të çlironte Murtajën, Luftën, Urinë, Vdekjen e të tjera mynxyra si këto, kutia prej kartoni të ricikluar lëshoi vetëm një shtëllungë me variantin e fundit të Covid.
“U zhgënjeva pa e hapur. Pakoja ishte shtypur gjatë transportit dhe e kishin mbështjellë me një izolant portokalli,” tregon blerësi, Klajdi Torobello. “E hapa me kujdes, gati për t’u përballur me demonët e lashtësisë dhe fatkeqësitë biblike. Prisja që qielli të nxihej dhe mynxyrat të kaplonin globin, por nga kutia doli vetëm një shtëllungë me erë të rëndë. Që atë ditë, jam i sëmurë me temperaturë, asgjë më shumë.”
Sipas mitologjisë origjinale, pasi të gjitha të këqijat dalin nga Kutia e Pandorës, në fund mbetet vetëm Shpresa. Por në versionin e Temus, Shpresa mungonte fare. Në vend të saj, në fund të kutisë Klajdi gjeti vetëm një kupon me 5% ulje për blerjet në platformë.
Pasi kontaktoi shërbimin e klientit, ata i sqaruan se “Shpresa” nuk ishte paketuar nga shitësi për të lehtësuar peshën gjatë transportit, gjë që e detyroi Klajdin të linte një review me 1 yll produktit: “Asnjë nga mynxyrat kataklizmike nuk ishin në kuti. Përfshirë Shpresën. Ky është mashtrim!”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.