TIRANË — Për t’i bërë ballë krizës së thellë demografike dhe uljes së lindshmërisë, AKSHI njoftoi sot lançimin e aplikacionit shtetëror për “dating” quajtur e-Mblesëria.
Tashmë, të rinjtë shqiptarë nuk kanë pse të harxhojnë kohë në Tinder me profile false. Qeveria ka vendosur t’i marrë vetë në dorë punët e zemrës, duke përdorur databazat shtetërore për të krijuar “përputhjet” më të sakta në histori.
Ndryshe nga aplikacionet e tjera ku mund të gënjesh lirisht për rrogën, makinën apo shtëpinë, e-Mblesëria funksionon me transparencë absolute dhe brutale. Për t’u loguar, përdoruesit duhet të përdorin fjalëkalimin e e-Albanias, dhe algoritmi automatikisht i tërheq të gjitha të dhënat nga gjendja civile.
“Në aplikacionet e huaja ka shumë mashtrime. Djemtë dalin në foto me Range Rover, por kur vajza del në takim, e sheh që vjen me autobusin e Kamzës,” shpjegon Klarenc Grifsha, inxhinieri kryesor i AKSHI-t. “Në e-Mblesëria kjo është e pamundur. Algoritmi ynë është i lidhur me DPSHTRR dhe Kadastrën. Nëse vajza shtyp profilin tënd, asaj i del automatikisht në ekran se çfarë makine ke në pronësi, sa metra katrorë është apartamenti yt dhe nëse e ke legalizuar shtesën në ballkon. Dashuria e vërtetë fillon nga transparenca pasurore!”
Për të ruajtur rregullin dhe për të rritur arkëtimet e shtetit, AKSHI ka vendosur disa rregulla strikte për ndërveprimin romantik.
Për shembull, për t’i bërë “Swipe Right” dikujt që të pëlqen, duhet të kesh paguar të gjitha gjobat e makinës dhe faturat e dritave të OSHEE-së.
Për më tepër, sistemi nuk lejon krijimin e profilit nëse në Gjendjen Civile nuk je i pajisur me Certifikatën e Beqarisë të printuar me vulë elektronike jo më të vjetër se 3 muaj.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.