KALIFORNI — Performanca e shumëpritur e Justin Bieber në festivalin e muzikës Coachella këtë fundjavë pritej të shënonte rikthimin e tij triumfal pas katër vitesh mungesë. Por, në vend të muzikës, fokusin mediatik e mori tregu shqiptar i makinave të përdorura.
Një detaj i kapur nga ekranet gjigante të skenës zbuloi të vërtetën e habitshme: ylli botëror i popit kalon kohën e lirë duke kërkuar okazione te “MerrJep.al”.
Performanca e tij nuk ishte katastrofë, por zgjedhjet regjisoriale të Bieber shkaktuan habi te fansat. Ai doli në skenë i veshur thjeshtë; xhup me kapuç dhe xhinse. Në qendër të skenës kishte vendosur vetëm një tavolinë të vogël dhe një laptop MacBook, ekrani i të cilit projektohej live për 100,000 të pranishmit. Plani ishte të bënte “karaoke” me këngët të tij të vjetra në YouTube. Por habia ndodhi sapo hapi shfletuesin Google Chrome.
“Para se të hapte YouTube dhe të kërkonte videoklipet e tija,,” raporton revista e muzikës Rolling Stone. “U shfaq shiriti me faqet e hapura atë moment. Mes YouTube, Spotify dhe Netflix, u pikas dhe logoja e njohur e MerrJep, si dhe njoftimi: Shitet benz A class 1.7 nafte Automat, viti 2004. Shume ekonomike ne konsum. Sedilje lekure, pasqyra me palosje, kondicioner. Shume e paster brenda dhe jasht. Shitet 1100 euro.”
Pas kësaj, kritikat qenë të pamëshirshme. Por, shumë fansa të tjerë janë vënë në mbrojtje të yllit të popit. “Nëse bërja e pazarit me një qytetar nga Fieri për një Benz të përdorur i jep lumturi, kush jemi ne ta gjykojmë?” shprehet një komentues nga Idaho.
Kontaktuar nga redaksia jonë për një reagim, MerrJep po konsideron t’i hapë këngëtarit një llogari me statusin “Shitës i Verifikuar”.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.