TIRANË — Zjarri masiv që shkrumboi fasadën e një kompleksi banimi në kryeqytet la pas dëme të mëdha materiale, si dhe disa qytetarë e zjarrfikës të lënduar. Si pasojë, spitalet private të kryeqytetit raportojnë fluks të madh me kryeredaktorë, gazetarë dhe moderatorë emisionesh, të asfiksuar nga gëzimi i sigurimit të bukës për muajin e ardhshëm.
Pas javësh të tëra thatësire mediatike, ku redaksitë ishin detyruar të bënin sherre maratonë për çmimin e naftës apo Ferma Vip, djegia totale e një pallati banimi dhe shkatërrimi i jetës së banorëve erdhën si bekim nga perëndia.
“Më kishte zënë paniku. Ora pesë dhe ende nuk kisha një temë për emisionin e mbrëmjes,” rrëfen Vilma Pupla, autore emisionesh politike, ndërkohë që i masin tensionin. “Por pastaj pashë lajmin. Zjarr! Pallati shkrumb e hi! Ndërhyrje me helikopter! Më ra të fiktë në çast. Oh çfarë çlirimi. Kemi punë të paktën deri në mes të muajit tjetër!”
Sipas burimeve, redaksitë e lajmeve u kthyen menjëherë në fushëbeteja për të kapur ekspertët. Çmimi i një inxhinieri ndërtimi për t’u shfaqur në studio u rrit me 400% në tregun e zi mediatik brenda dy orësh.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.