TIRANË — Në një konferencë për shtyp që ka lënë pa fjalë si banorët e Tiranës ashtu edhe historianët e lashtësisë, KM deklaroi se pasi të rindërtojë plotësisht pallatin e djegur te “Farmacia 10”, e njëjta kompani do rindërtojë si çeço edhe Bibliotekën e famshme të Aleksandrisë, shkrumbuar tërësisht në vitin 48 para Lindjes së Krishtit.
Sipas KM, ky është “një akt i paprecedentë i përgjegjësisë sociale”, i cili provon se biznesi i madh në Shqipëri nuk mendon vetëm për metra katrorë, por edhe për trashëgiminë kulturore të mbarë njerëzimit.
Këshilli Kombëtar i Territorit pritet të mblidhet urgjentisht këtë të premte për të kaluar lejen e ndërtimit, ndërsa burime pranë kompanisë bëjnë me dije se projekti është gati dhe do të zbatojë standardet më të larta të urbanistikës. Për t’u siguruar që tragjedia të mos përsëritet, Biblioteka e re e Aleksandrisë do të vishet e gjitha me “sistem kapot me polisterol që duron zjarrin”.
Për të justifikuar shpenzimet e mëdha të këtij donacioni historik, ndërtuesi ka kërkuar që 80% e Bibliotekës së Aleksandrisë të jetë qendër tregtare dhe ambiente zyre, mundësisht atashuar me një kullë 40 katëshe.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.