TIRANË — Një valë e paprecedentë paqeje dhe dashurie familjare ka pushtuar kombin gjatë 24 orëve të fundit. Pas deklaratës historike të Prefektit të Tiranës, i cili zbuloi se plani zyrtar i shtetit për strehimin e banorëve pas fatkeqësive është “të flejë te halla dhe daja”, mijëra qytetarë kanë nisur t’u dërgojnë mesazhe pajtimi kushërinjve me të cilët nuk flisnin prej vitesh.
Sipas kompanive celulare, ka një rritje me 400% të thirrjeve telefonike që nisin me frazën: “Hë mo gjak, si të kam?”
Zgjidhja inovative e Prefektit për t’ia deleguar menaxhimin e krizave trungut familjar, ka bërë që qytetarët të rishikojnë urgjentisht marrëdhëniet e tyre farefisnore. Shumë kanë kuptuar se me cilësinë e ndërtimeve në Tiranë, inati i vjetër për vijën e ujit në fshat është një luks i papërballueshëm.
Gjithashtu, mësohet se Drejtoria e Emergjencave Civile ka filluar të ndryshojë protokollet e saj zyrtare. Në vend të blerjes së çadrave, batanijeve dhe rezervimit të dhomave të hotelit, punonjësit e emergjencave do të trajnohen për të ofruar shërbime ndërmjetësimi familjar.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.