ROMË — Pas muajsh të tërë akuzash nga mediat opozitare mbi gjunjëzimet e tij të shpeshta para KM italiane Giorgia Meloni, KM Edi Rama ka marrë një vendim drastik.
Për t’i dhënë fund lodhjes së meniskut dhe për ta ngritur partneritetin strategjik në një nivel të ri ortopedik, KM i është nënshtruar dje një operacioni për shkurtimin e këmbëve mu para homologes italiane.
Ndërhyrja, e cila u krye direkt në oborrin e Pallatit Chigi nga një ekip kirurgësh të përbashkët italo-shqiptar, u cilësua nga zëdhënsi i Kryeministrisë si një “hap i domosdoshëm për integrimin europian”.
Të pranishmit në delegacionin shqiptar raportojnë se gjithçka ishte planifikuar me detaje. Në momentin që KM hyri në oborrin e Pallatit Chigi, në vend që të binte në gjunjë si takimet e mëparshme, ai u shtri menjëherë në tavolinën e operimit që rrinte në pritje disa metra më tutje.
Gjatë ndërhyrjes, që zgjati disa orë, Meloni është dëgjuar t’i lutet homologut të saj të ndalojë veprimet qesharake para kamerave, “Basta, Edi!”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.