VLORË — Një incident i rëndomtë shtëpiak raportohet se ka marrë kthesë të beftë me pasoja politike. Ilir Kefiri, 48 vjeç, banues në lagjen e flamurit, pësoi një goditje elektrike teksa po ndërronte një prizë në sallonin e shtëpisë. Ndonëse shpëtoi pa asnjë lëndim fizik, familjarët zbuluan me tmerr se voltazhi i lartë i kishte fshirë nga truri gjënë më të shtrenjtë që kishte: organigramën e plotë të partisë së zemrës.
Sipas dëshmive të familjarëve, Iliri, i cili deri dje mund të recitonte përmendësh emrat e të gjithë anëtarëve të Kryesisë, dhe Asamblesë Kombëtare që nga viti 2005, tani po sillet si një qytetar i thjeshtë, pa asnjë orientim në hapësirën hierarkike.
Neurologët e QSUT-së, të cilët kanë marrë rastin në studim, shpjegojnë se rryma elektrike prej 220 voltësh ka udhëtuar përmes krahut të djathtë dhe ka goditur pikërisht atë pjesë të lobit frontal ku shqiptarët depozitojnë frikën, respektin dhe njohuritë rreth strukturave partiake.
“Nga pikëpamja klinike, pacienti është i shëndetshëm. Por nga pikëpamja shoqërore, ai është një invalid,” shpjegon neurologu Sandër Uthulla. “Amnezia e tij është tepër specifike. Ai e di fare mirë kush është Skënderbeu, di dhe tabelën e shumëzimit, por nuk arrin të bëjë dallimin mes një Drejtori Drejtorie dhe një anëtari të thjeshtë të Këshillit Bashkiak. Për Ilirin, të gjithë njerëzit me kostum tani e tutje janë thjesht ‘njerëz’.”
Deri në shërimin e tij të plotë, Iliri është këshilluar të mos dalë nga shtëpia, pasi rrezikon t’i flasë në mënyrë të shkujdesur dikujt që mund të ketë status më të lartë seç tregon paraqitja.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.