/ Rajoni
/ Politikë

Orakulli i Delfit i lutet Ramës t'i tregojë të ardhmen

|Nga: Redaksia Lemza
Orakulli i Delfit i lutet Ramës t'i tregojë të ardhmen

DELFI — Një ngjarje e paprecedentë, që ka shokuar si historianët e antikitetit, është regjistruar dje gjatë punimeve të Forumit Ekonomik të Delfit. Orakulli i famshëm, i cili kishte rreth 2000 vjet që nuk fliste, ka thyer heshtjen. Shpirti i lashtë ka nxjerrë një bllok shënimesh dhe i është lutur Kryeministrit Edi Rama t’i tregojë se çfarë do të bëhet me të ardhmen e vetë Orakullit.

Dëshmitarët tregojnë se sapo KM zbriti nga skena, një mjegull mistike mbuloi sallën e Forumit. Zëri i Orakullit ushtoi në greqishte të vjetër, por menjëherë kaloi në shqip, i ndërgjegjshëm se po i fliste një niveli më të lartë autoriteti.

“Kam parashikuar luftëra, rënie perandorish dhe fatin e heronjve,” foli i ngjirur Orakulli. “Por kohët e fundit jam totalisht i çorientuar. Të lutem, o lider global, i gjithëpushtetshëm e gjithëdijshëm, më thuaj çdo ndodhë me mua? A do të mbijetojë institucioni im në epokën e Inteligjencës Artificiale?”

I pa shqetësuar nga prania e mbinatyrshme, KM e pa Orakullin në sy dhe i foli pa dorashka:

“Profecitë tënde janë demode, miku im. Ti flet me gjëegjëza, ndërsa unë flas me Powerpoint dhe makete 3D. E ardhmja jote nuk varet nga zotat e Olimpit, por nga partneriteti publik privat. Tempulli yt ka nevojë për modernizim, nuk mund të rrish më në atë shpellë me lagështirë. Do ia mbush mendjen Mitsos të të bëjë një kullë.”

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon