TIRANË — Gjeopolitika globale ka goditur përfundimisht aty ku dhemb më shumë: në jetën intime të shqiptarëve. Pas njoftimit nga kompania malajziane, Karex Bhd, se çmimet e prezervativëve do të rriten me 30% për shkak të luftës në Iran dhe krizës së zinxhirit të furnizimit, tregu vendas ka reaguar me shpejtësi.
Për t’i mbijetuar këtij realiteti të paprecedentë, farmacitë në kryeqytet kanë nisur të zbatojnë një model të vjetër të tregtisë me pakicë: shitjen e prezervativëve “të hapur” apo “me fije”, njësoj siç shiten cigaret nëpër dyqanet e lagjeve.
“Nuk kemi zgjidhje tjetër,” shprehet një farmaciste teksa hap me kujdes një pako Durex dhe i rreshton produktet në vitrinë pranë çajrave kundër kapsllëkut.
Ekspertët e ekonomisë dhe ata të marrëdhënieve në çift theksojnë se kjo krizë do të ndryshojë rrënjësisht kulturën e takimeve romantike, duke parë që kutitë e vulosura janë kthyer në një luks të papërballueshëm për buxhetin e të rinjve.
“Po e ruaj për personin e duhur,” thotë Herion Trumza, student në Fakultetin e Ekonomisë “Me një rrugë bëj dy punë. Edhe kursej, edhe shmang marrëdhëniet e nxituara me vajza që nuk më meritojnë.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.