UIMBËLLDON — Një robot i ri i inteligjencës artificiale, i pagëzuar me emrin GruntBot 3000, ka tronditur botën e tenisit, duke thyer çdo rekord njerëzor. Rënkimet e tija arritën një intensitet prej 140 decibelësh, i barasvlershëm me zhurmën e një avioni gjatë ngritjes.
Ky sukses historik tregon se inteligjenca artificiale jo vetëm po na mposht në sport, por po na vjedh edhe mjetin tonë më të fuqishëm të trembjes së kundërshtarit: rënkimin dramatik.
Sipas dëshmitarëve në fushat e Uimbëlldonit, ku GruntBot 3000 po testohet larg publikut, lojtarët profesionistë e kanë të pamundur të përqendrohen.
“Kur roboti godet topin, unë nuk dëgjoj asgjë tjetër, vetëm rënkimin e tij shurdhues, sikur po ia nxjerrin shpirtin me darë,” u ankua numri 1 në botë, Carlos Alcaraz. “Unë rënkoj për të treguar sforcim, ai rënkon sepse ashtu e ka programuar një inxhinier nga India. Është e padrejtë!”
Ekspertët konfirmojnë se GruntBot 3000 ka përdorur një algoritëm të avancuar për të analizuar rënkimet e të gjitha legjendave të tenisit, nga Monika Selesh te Rafael Nadal. Kjo i lejon të nxjerrë një super-rënkim hibrid, që është shkencërisht i optimizuar për të ndjellë ankth te kundërshtari.
Federata Ndërkombëtare e Tenisit ka njoftuar një mbledhje urgjente për të diskutuar këtë risi teknologjike që rrezikon të shkatërrojë bukurinë e sportit.
“Ne pranojmë që robotët të jenë më të shpejtë dhe më të saktë,” u shpreh zëdhënësi i Federatës. “Por nuk mund të pranojmë kurrsesi që ata të prodhojnë tinguj grykorë më të fortë se ne. Kjo është shkelje e etikës sportive.”
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.