/ Kronikë

I pastrehu qethet

|Nga: Redaksia Lemza
I pastrehu qethet

TIRANË — Teoritë klasike të biologjisë evolucionare, të cilat sugjerojnë se kapërcimet e mëdha të specieve kërkojnë miliona vjet përshtatjeje, janë rrëzuar përfundimisht dje në një trotuar pranë qendrës së Tiranës. 

Dëshmitarët mbetën të shtangur kur një i pastrehë i zonës u shfaq me një mutacion të beftë dhe të pashpjegueshëm estetik. Me një skin fade taze dhe mjekër të prerë me vizore, ai ka djegur etapat dhe ka kaluar nga faza e Homo Lypsis në atë të Homo Lacus.

Transformimi ndodhi kur një berber zemërmadh i lagjes vendosi ta qethë lypësin për të marrë ca like në Instagram, duke i treguar ndjekësve të tij mrekullitë e briskut dhe aftershave-it mbi një qenie njerëzore.

Banorët e lagjes ishin mësuar ta shihnin subjektin me flokë të shprishur dhe mjekër të pakrehur, një mekanizëm mbijetese për t’u mbrojtur nga i ftohti dhe për të sinjalizuar nevojën për ndihmë. 

Por dje në mëngjes, qytetarët u përballën me një pamje tërësisht të re. Majat e flokëve ishin të kuruara, anët ishin të rruara me skin fade, dhe vetulla e majtë kishte një vizë paralele tepër agresive.

Sipas parimeve të Darvinit, një tipar i ri duhet të ndihmojë në mbijetesë, por skin fade po bën të kundërtën. I pastrehu ka humbur plotësisht aftësinë për të tërhequr lëmoshë. Organet e tij të brendshme kërkojnë ende pispili dhe çokollata afër skadimit, por pamja e tij e jashtme moderne dërgon sinjale se ai ushqehet ekskluzivisht me Matcha Latte dhe tost me avokado.

I dorëzuar përballë këtij fati, i pastrehu është i detyruar të presë derisa favoritet të rriten në gjatësinë e lejueshme për të kërkuar sërish lëmoshë.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon