/ Sociale

3-vjeçari zotohet se nuk do i mësojë prindërit me telefona

|Nga: Redaksia Lemza
3-vjeçari zotohet se nuk do i mësojë prindërit me telefona

TIRANË — Kriza e thellë që po përjeton familja moderne ka detyruar një 3-vjeçar të marrë masa drastike për të ardhmen e prindërve të tij. Duke vëzhguar rënien e aftësive të tyre komunikuese dhe izolimin e frikshëm social, vogëlushi është zotuar se nuk do t’i mësojë prindërit e tij 30-vjeçarë me telefona.

Kjo qasje radikale vjen pas muajsh të tërë monitorimi, ku 3-vjeçari ka dalë në përfundimin se nevojat e tyre themelore emocionale dhe intelektuale po gjymtohen nga scroll-i pa limit në Instagram dhe TikTok.

Gjatë një prononcimi të dhënë tek po përtypte tërë jargë një biskotë bebesh, i vogli shpjegoi se si jeta e prindërve të tij po degjeneronte pa kthim. Në vend që të angazhoheshin në aktivitete në natyrë apo të zhvillonin imagjinatën, ata kalonin orë të tëra para telefonit, duke parë video njerëzish të panjohur që gatuanin makarona apo bënin kërcime të çuditshme.

“Më dhimbsen shumë kur i shoh në këtë gjendje,” deklaroi 3-vjeçari, Nuar Ferra. “Si mund të presësh që ata të përballojnë kompleksitetin e botës reale, kur vëmendjen ua ka marrë peng algoritmi? Nuk dua t’i mësoj me këtë ves të keq. Po t’i lë të rrinë në telefon sot, nesër pasnesër nuk do dinë as të japin vaktin te shkallët e pallatit.”

Për të shpëtuar prindërit nga kjo greminë digjitale, 3-vjeçari ka hartuar një rregullore të re, të ashpër dhe të panegociueshme, që përfshin fshehjen e karikuesit, limitin ditor prej 30 minutash, dhe vendosjen e një regjimi të rreptë gjumi.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon