TIRANË — Pikat e tregtimit me pakicë në kryeqytet janë zgjuar sot me një realitet të ri ekonomik. Bordi i Transparencës, në pamundësi për të kontrolluar inflacionin dhe bursat ndërkombëtare, ka vendosur ta heqë naftën nga standardi i dollarit dhe ta lidhë atë drejtpërdrejt me asetin më të shtrenjtë, më të rrallë dhe më të çmuar në Shqipëri: qershitë e sezonit.
Duke filluar nga mëngjesi i sotëm, tabelat elektronike të karburanteve në Tiranë kanë hequr shifrat në Lekë dhe kanë afishuar kursin e ri të këmbimit. Një litër naftë D10 tashmë këmbehet zyrtarisht me 2 qershi.
Që nga sot, shoferët nuk do nxjerrin më portofolin apo kartën e kreditit për të mbushur serbatorin, por tasin me qershi të ruajtura për merak.
Ky zhvillim ka sjellë një përmbysje totale të hierarkisë sociale në vend. Shitësit e fruta-perimeve te Pazari i Ri kanë kapërcyer të gjitha shkallët klasore, gjë që i ka detyruar të punësojnë truproja të armatosura dhe të lëvizin me makina të blinduara.
Në këto kushte, zgjidhja e vetme për të përballuar jetesën e përditshme dhe ruajtjen e shëndetit financiar, mbetet regjimi i rreptë i ecjes në këmbë. Të paktën 10 deri në 15 kilometra në ditë jo vetëm që të shpëtojnë nga falimentimi përballë çmimeve të naftës, por janë e vetmja mënyrë se si një qytetar i Tiranës mund të djegë inatin e se nuk ble dot as edhe një kokërr qershi për fëmijët.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.