/ Politikë

Nënshkruhet marrëveshja: Në Pashaliman do të prodhohen tapete fluturues

|Nga: Redaksia Lemza
Nënshkruhet marrëveshja: Në Pashaliman do të prodhohen tapete fluturues

VLORË — Në një ceremoni madhështore të zhvilluar sot në bazën e vjetër ushtarake të Pashalimanit, KM njoftoi nënshkrimin e një marrëveshjeje historike me “Tappeti Volanti S.p.A”, një nga kompanitë italiane të ekselencës në fushën e tekstileve aerodinamike.

Sipas qeverisë, tapeteve fluturues do të përdoren nga Forcat e Armatosura për të monitoruar trafikun në rrethrrotullimin e Skelës dhe për të furnizuar ushtritë e vendeve aleate.

KM e cilësoi këtë si një moment epokal që do të rilindë qytetin bregdetar dhe do t’u japë një zanat të ri brezave të ardhshëm.

“Ky është një lajm i mrekullueshëm për të rinjtë,” theksoi ai. “Vajzat dhe djemtë e shkollës Industriale të Vlorës do të ulen në tezgjah për të thurur qilima që sfidojnë ligjet e Njutonit!”

Nga ana e tij, CEO i kompanisë italiane, Alan Dino, u shfaq entuziast për këtë partneritet të ri.

“Shqipëria bëhet baza e re evropiane për tapetet fluturues të vegjël dhe të mesëm,” u shpreh ai. “Kjo marrëveshje do të sjellë rreth 400 vende të reja pune. Shumica e tyre do të punësohen për të krehur leshin e deleve të Karaburunit, i cili, siç dihet, ka veti të pashoqa aerodinamike dhe absorbuese kundër raketave balistike. Kjo është e ardhmja e NATO-s.”

Ushtria shqiptare aktualisht po bën audicione për të gjetur pilotë që dinë të qëndrojnë këmbëkryq për më shumë se 4 orë pa iu marrë mendja.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon