TIRANË — Tregu i pasurive të paluajtshme në kryeqytet është kapluar një panik ekzistencial paraditen e sotme, pas shfaqjes së një anomalie të frikshme gjuhësore. Në një nga portalet më të mëdha të real estate në vend, u pikas njoftimi ku fjala “qira” ishte shkruar saktë me zanoren “i”, shenjat e pikësimit ishin në vendin e duhur dhe ku mungonte tërësisht togfjalëshi i shenjtë “jepet hyrje okazion”.
Në vend të përshkrimit klasik “Shtepi me qera n astir, pallat i ri, e mobiluar top, cmimi 500 euro pak e diskutushem wcp”, autori kishte përdorur fjali të nënrenditura, presje para lidhëzave dhe terma si “mjedis banimi” apo “nyje gatimi”.
Shoqata e Agjentëve Imobiliarë kërkon që njoftimi të fshihet urgjentisht, pasi vendos një standard të paarritshëm komunikimi dhe rrezikon kolapsin e reputacionit që agjentët kanë ndërtuar me vite të tëra analfabetizëm.
Ndërkohë, autori i njoftimit mbetet i paidentifikuar, por burimet thonë se forcat e rendit po mbajnë nën vëzhgim çdo zyshë letërsie në pension që zotëron një apartament në zonën e Astirit.
Mohim Përgjegjësie
Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.