/ Showbiz
/ Kulturë

Nisin përgatitjet për koncertin e Ye: Kashari ndërron zyrtarisht emrin në Yeeshar

|Nga: Redaksia Lemza
Nisin përgatitjet për koncertin e Ye: Kashari ndërron zyrtarisht emrin në Yeeshar

YEESHAR — Në pritje të koncertit epokal të 11 korrikut, Njësia Administrative e Kasharit ka marrë një vendim të paprecedentë për t’u siguruar që gjithçka të jetë në lartësinë e Zotit të rrepit. 

Gjatë një mbledhje të jashtëzakonshme, me votim unanim të Këshillit Bashkiak, zona e njohur historikisht për mobilieri dhe qendra tregtare në prag falimenti, tashmë do të njihet zyrtarisht me emrin e ri, Yeeshar.

Sipas autoriteteve lokale, ky ishte një kusht i panegociueshëm i vendosur nga vetë artisti.

Xhemal Shima, një banor i zonës dhe kultivues i jonxhës, tregon se ai është gati për çdo sakrificë në emër të artit botëror. 

“Nuk e di mirë kush është ky Kanja,” tregoi ai. “Por, në qoftë se paralel me stadiumin ky i madhi na mbyll gropat e rrugës dhe na sjell ujin e pijshëm 24 orë, le të quhet fshati Yeeshar! Madje, po qe nevoja, e ndërroj dhe unë emrin në gjendjen civile. Nga Xhemal e bëj Yeemal. Miqtë duhen respektuar.”

Që kur u njoftua ndryshimi i emrit, çmimi i tokës ka kërcyer deri në 4,000 euro metri katror, me kushtin e vetëm që blerësi të pranojë se gjithçka që do të ndërtojë aty, mund të prishet në minutën e fundit nëse Ye ndërron mendje.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon