/ Sport
/ Teknologji

Risi në Superligë: Shikuesit do kenë mundësi t'i shohin ndeshjet me 2x shpejtësi

|Nga: Redaksia Lemza
Risi në Superligë: Shikuesit do kenë mundësi t'i shohin ndeshjet me 2x shpejtësi

TIRANË — Për të luftuar braktisjen masive të futbollit, njëherazi duke përfituar nga fakti që të gjitha ndeshjet janë të fiksuara paraprakisht, FSHF ka prezantuar sot një risi revolucionare për Abissnet Superiore, që do u japë mundësi shikuesve të shohin ndeshjet me 2x shpejtësi.

Duke filluar nga kjo fundjavë, çdo tifoz mund të shtypë një buton në telekomandë që e bën ndeshjen të transmetohet dy herë më shpejt. Qëllimi i këtij inovacioni nuk është vetëm kursimi i kohës, por krijimi i iluzionit optik se po luhet futboll i vërtetë në fushë.

Sipas inxhinierëve të transmetimit, ritmi i lojës në kampionatin tonë është aq i ngadaltë, saqë transmetimi i tij me shpejtësi të dyfishuar është e vetmja mënyrë për ta sjellë ndeshjen në të njëjtin nivel me ligën e tretë angleze. Megjithatë, reagimi i tifozëve ka qenë pozitiv.

“Dje m’u dha mundësia ta testoja gjatë një barazimi 0-0 të Partizanit me Vorën,” tha Agron Pepo, tifoz prej 40 vitesh. “Ishte një mrekulli e vërtetë! Me 2x shpejtësi, pasimet prapa te portieri dukeshin si skema taktike sulmuese të Pep Guardiolës.”

Për tifozët më ekstremë, Federata po shqyrton bashkë me televizionet një paketë Premium me shpejtësi 4x. Ky opsion do t’u lejojë atyre të ngjeshin 1 orë e gjysmë agoni në vetëm 22 minuta.

Mohim Përgjegjësie

Lemza News është një publikim satirik. Artikujt, historitë dhe përmbajtja e publikuar në këtë faqe janë pjellë e imagjinatës ose parodi të ngjarjeve reale. Emrat e përdorur, përveç atyre të figurave publike të cilët janë subjekt i satirës, janë fiktivë. Çdo ngjashmëri me persona realë, të gjallë apo të vdekur, është krejtësisht e rastësishme. Përmbajtja nuk duhet të merret si faktike apo serioze.

Sipas studimeve, donacionet rrisin inteligjencën.

Na Mbështet në Patreon